Qindra mijëra protestues u grumbulluan të enjten, më 13 prill, në qytete të ndryshme të Francës për ta kundërshtuar planin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për ta rritur moshën e nevojshme për dalje në pension në 64 vjeç.
Kjo reformë e propozuar nga Macroni ka hasur në shumë kundërshtime në mesin e shtetasve francezë, të cilët tani janë në pritje të vendimit përfundimtar që do të tregojë nëse kjo reformë përmbush standardet kushtetuese.
Protestuesit shënjestruan zyrat e Bankës Qendrore në Paris dhe hynë përkohësisht brenda selisë së konglomeratit luksoz LVMH. Por, vëmendja e tyre u përqendrua në objektin e Këshillit Kushtetues, i cili do të vendosë të premten nëse do të anulojë ndonjë apo të gjitha pjesët e legjislacionit.
Aktivistët hodhën thasë me mbeturina jashtë objektit të Këshillit mëngjesin e së enjtes. Më vonë, një turmë tjetër që mbante fishekzjarrë u përball me një njësi policore, të cilët kishin shkuar për ta mbrojtur ndërtesën.
Policia e Parisit ka ndaluar cdo tubim jashtë objektit të Këshillit nga e enjtja në mbrëmje deri në mëngjesin e së shtunës, në një përpjekje për ta zvogëluar presionin ndaj anëtarëve të Këshillit përderisa ata marrin vendimin e tyre.
Numri i pjesëmarrësve në protestat tashmë disa javëshe në mbarë Francën ishte më i vogël të enjten, por sindikatat prapëseprapë arritën të mobilizonin një turmë të konsiderueshme. Protestat ishin kryesisht paqësore, megjithëse u raportuan dhjetëra të plagosur në mesin e policisë dhe protestuesve.
Sindikatat shpresonin për një pjesëmarrje edhe më të madhe të enjten për t’i bërë presion qeverisë dhe anëtarëve të Këshillit Kushtetues të ngarkuar me analizimin e tekstit të planit të reformës së pensioneve.
Në Francë, lëvizja kundër reformës në pension është shndërruar në krizën më të madhe të brendshme të mandatit të dytë në Macronit, teksa për çdo ditë ka përleshje në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera franceze mes policisë dhe protestuesve.
Kritikët kundërshtuan vendimin e qeverisë për të përfshirë planin e pensioneve në një projekt-ligj buxhetor, i cili e përshpejtoi ndjeshëm procesin legjislativ. Vendimi i qeverisë për ta anuluar një votim parlamentar duke përdorur fuqi të veçanta kushtetuese i zemëroi edhe më shumë kritikët.
Sasia e madhe e plehrave sinjalizoi edhe fillimin e një greve të re nga grumbulluesit e plehrave, e caktuar për të filluar me marshimet e protestës mbarëkombëtare. Një grevë e mëparshme e muajit të kaluar i la rrugët e kryeqytetit francez të mbushura për ditë të tëra me plehra.
Sondazhet tregojnë vazhdimisht se shumica e francezëve janë kundër reformës së pensioneve. Por, Macron thotë se kjo reformë është e nevojshme për ta mbajtur në këmbë sistemin e pensioneve ndërsa popullsia plaket.
Macron fillimisht kishte refuzuar një kërkesë për t’u takuar me sindikatat, por gjatë një vizite shtetërore të mërkurën në Holandë propozoi diskutime për vendimin e Këshillit Kushtetues. Oferta e tij nuk mori asnjë përgjigje zyrtare. /REL