Qiellza e hapur dhe buza e lepurit/ Kirurgjia muajt e parë thelbësore për suksesin, ul kostot e trajtimit

schedule16:24 - 17 Mars, 2023

schedule 16:24 - 17 Mars, 2023

Kirurgjia në muajt e parë të jetës është thelbësore në trajtimin me sukses të qiellzës së hapur dhe buzës së lepurit, dy ndër defektet e lindura te fëmijët.

Por për fat të keq kirurgu plastik Dr. Gianluca Gatti ekspert i korigjimit të këtyre deformimeve thotë se nuk janë të rralla rastet e fëmijëve që paraqiten vonë te mjeku.

I ardhur sërish pranë Spitalit Amerikan 1 për të trajtuar disa raste te fëmijët e rritur, së bashku me kirurgun ORL, Dr.Alfred Aga, mjeku italian thekson se përvec problemeve funksionale, estetike dhe psikologjike, vonesa në ndërhyrje i bën të domosdoshme terapitë e të folurit duke rritur koston e trajtimit.

“Kemi kryer disa ndërhyrje te fëmijët me qiellzën plotësisht dhe pjesërisht të hapur. Disa prej tyre janë 11-12 vjec dhe kanë probleme me të folurin dhe kjo duhet evituar ndaj kërkojmë të sensibilizojmë që nëse lindin me këtë lloj patologjie operacioni të bëhet në kohën e duhur, pra para se fëmija të fillojë të flasë, që në moshën 6-7 muajsh që ta ndihmojë atë të ushqehet dhe flasë normalisht.”

Vlerësohet se në Europë 1 në 600-650 fëmijë lind me këtë defekt kongenital i cili mund të shkaktojë gjithashtu probleme që lidhen me infeksionet bronkopulmonare dhe infeksionet e veshit të mesem.

“Përgjithësisht në vendet europiane 1 në 600-650 fëmijë lind me këtë defekt. Ne në Itali kemi një regjistër të personave me defekte të lindura ndaj e dimë cdo vit se sa fëmijë lindin me këtë patologji. Nëse nuk korrigjohet në kohë fëmijët kanë vështirësi të mëdha me të folurin dhe mund të kenë probleme të mëdha me dëgjimin. Pra kur fëmija të ketë mbushur një vjec duhet t’i ketë përfunduar të gjitha kirurgjitë e rindërtimit të qiellzës apo buzës në mënyrë që të mos vuajë nga komplikimet e mundshme, apo incidenca e tyre të jetë shumë e ulët.”

Dr. Gianluca Gatti vjen nga Qendra e Pizës, e cila kryen mbi 300 operacione të tilla në vit dhe së bashku me Dr. Agën dhe ekipin e sallës në Spitalin Amerikan 1 prej vitesh trajtojnë me sukses këto defekte në një ndërhyrje të vetme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!