Qeveritë e huaja evakuan diplomatët dhe punonjës të shërbimit diplomatik nga Sudani, të cilët kishin mbetur të bllokuar në vendin afrikan. Luftimet mes ushtrisë dhe forcave paraushtarake kanë hyrë në ditën e nëntë dhe nuk ka shenja për armëpushim.
Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara njoftuan se ushtria amerikane evakuoi personelin e ambasadës amerikane nga Sudani dhe mbylli selinë diplomatike atje.
Ndërsa luftimet në Sudan po intensifikohen, një zyrtar i Pentagonit tha se Departamenti i Mbrojtjes po shqyrton mundësinë e dërgimit të dronëve për të monitoruar rrugët tokësore drejt qytetit Port Sudan dhe dërgimin e anijeve të marinës amerikane për të evakuuar amerikanët që mund të arrijnë atje. Rreth 16 mijë shtetas amerikanë ndodhen në Sudan.
Ndonëse Departamenti i Shtetit thotë se nuk ka plane për një evakuim në shkallë të gjërë të shtetasve amerikanë, presidenti Joe Biden konfirmoi se ushtria amerikane ka evakuuar personelin e ambasadës amerikane në Sudan dhe e ka mbyllur atë. Zyrtarë të lartë të administratës amerikane thanë se ky ishte një vendim i vështirë dhe se do të vazhdojnë përpjekjet për të ndihmuar amerikanët që ende janë të bllokuar në Sudan.
Dy fëmijët e Thamir Muhamed, shtetas të Shteteve të Bashkuara dhe Sudanit, janë bllokuar në Kartum.
“Jemi shumë të shqetësuar. Jemi përpjekur të kontaktojmë ambasadën. Kemi dërguar e-maile dhe e kemi telefonuar dhe në shumë raste nuk janë përgjigjur”, thotë ai.
Familja e një nëne nga Masaçusetsi është gjithashtu e shqetësuar. Trillian Clifford, së bashku me vajzën e saj 18 muajshe, u zhvendos në Sudan më shumë se një vit më parë për të punuar si mësuese në një shkollë në Kartum.
“Si shtetase amerikane që punon jashtë vendit, ajo e ka marrë premtimin se gjithmonë do të kishte mbështetjen e ambasadës amerikane, dhe është shumë e qartë se tani ajo nuk e ka mbështetjen e tyre”, thotë kunata e saj Rebecca Winter.
Trupat amerikane janë dislokuar në rajon, por Departamenti i Shtetit i përsëriti paralajmërimet për shtetasit amerikanë në Sudan.
“Ne kemi qenë të qartë për këtë. Në muajt e fundit ne kemi paralajmëruar shtetasit amerikanë që të mos udhëtojnë në Sudan. Kemi komunikuar me shtetasit amerikanë në vend mbi masat e sigurisë që ata mund të marrin”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedants Patel.
Kryeministri britanik Rishi Sunak njoftoi përmes një postimi në Twitter se forcat e armatosura britanike kishin evakuuar stafin diplomatik dhe familjet e tyre mes frikës për përshkallëzim të dhunës. Sekretari i mbrojes Ben Wallace tha se në operacionin e evakuuimit ishin angazhuar 1200 forca ushtarake.
Franca, Greqia, Jordania dhe vende të tjera organizuan gjithashtu fluturime për largimin e shtetasve të tyre. Holanda dërgoi dy avionë Hercules C-130 dhe një Airbus A330 në Jordani për 152 shtetas holandezë që u larguan nga Sudani, tha ministrja e Mbrojtjes Kajsa Ollongren.
Italia, dërgoi avionë ushtarakë në Xhibuti për evakuuimin e 140 shtetasve të saj, tha ministri i jashtëm Antonio Tajani.
Pavarësisht një armëpushimi 72 orësh, të njoftuar nga palët të premten, luftimet shpërthyen sërish sot në Sudan.
Mbi 420 njerëz, përfshirë 264 civilë, janë vrarë dhe mbi 3700 janë plagosur në luftimet midis forcave të armatosura sudaneze dhe grupit të fuqishëm paraushtarak të njohur si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, ose RSF.
Zëvendës drejtorja e organizatës Human Rights Watch, Nicole Widdersheim tha për Zërin e Amerikës se gjendja në Kartum është e rëndë.
“Civilët në Sudan po përpiqen të largohen nga bombardimet dhe sulmet ajrore. Sipas ekspertëve tanë, të cilët janë në kontakt me njerëzit në Kartum, gjendja është duke u përkeqësuar”, tha ajo.
Televizioni shtetëror saudit tha se një varkë me 50 qytetarë sauditë dhe shtetas të tjerë të shpëtuar nga Sudani mbërriti të shtunën në Jeddah, në operacionin e parë të evakuimit për civilët që nga fillimi i luftimeve.
Ndërsa disa vende po intensifikojnë përpjekjet për të evakuuar diplomatët dhe shtetasit e tyre nga Sudani, banorët e Kartumit po përballen me mungesa të ujit dhe ushqimeve, më shumë se një javë nga nisja e luftimeve./VOA