Qeveria ndryshon ligjin, ortakët në biznes me politikanët do të kontrollohen për pastrim parash

schedule16:52 - 23 Shtator, 2021

schedule 16:52 - 23 Shtator, 2021

Nga Erneta Shevroja

Zgjerohet rrethi i personave të afërt me politikanët që do të kontrollohen për pastrim të mundshëm parash. Qeveria shqiptare ka vendosur të ndryshojë ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, duke shtuar në të disa kategori të reja të lidhur me politikanët, që do i nënshtrohen kontrolleve për pastrim të parave të fituara nga burime jo legale.

Sipas parashikimeve të ligjit të ri ata që janë në ortakëri në biznes me politikanët duhet të tregohen të kujdesshëm me justifikimin e pasurive të tyre.

Në nenin 10 të ligjit ekzistues, është shtuar pika që parashikon që kontrollit do i nënshtrohen dhe:

  1. a) individët që janë bashkërisht pronarë përfitues në persona juridikë apo organizime ligjore apo çfarëdo marrëdhënie tjetër të ngushtë biznesi me një person të ekspozuar politikisht;
  2. b) personat të cilët janë pronarët përfitues të vetëm një personi juridik apo organizimi ligjor, i cili dihet se është krijuar për përfitimin de-facto të personit të ekspozuar politikisht ”

Gjithashtu, qeveria ka vendosur të zgjerojë përmes projektligjit, edhe rrethin e familjarëve që do të jenë nën kontroll të mundshëm. Saktësisht, tek anëtarët e familjes së personit të ekspozuar politikisht përfshihen:

  1. a) bashkëshorti/ja apo bashkëjetuesi/sja e një personi të ekspozuar politikisht;
  2. b) fëmijët dhe bashkëshortët/et e tyre apo bashkëjetuesit/set;

Risia tek familjarët janë prindërit e politikanëve, që gjithashtu do të mund të kontrollohen nëse bëjnë pastrim parash. Aktualisht sipas draftit të qeverisë, personat të ekspozuar politikisht janë kreu i shtetit, kreu i qeverisë, kabineti qeveritarë, të zgjedhur e parlamentit, drejtuesit e partive politike, drejtuesit e bankës qendrore, ambasadorët, drejtorët, zëvendësdrejtorët deri tek anëtarët e bordeve.

Ky projektligj pritet t’i nënshtrohet procedurës parlamentare, të diskutimeve në komisione e më pas votimi.

RRETHI I BIZNESIT

10/2. Persona të lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi të personit të ekspozuar politikisht për qëllime të këtij ligji janë:

  1. a) individët që janë bashkërisht pronarë përfitues në persona juridikë apo organizime ligjore apo çfarëdo marrëdhënie tjetër të ngushtë biznesi me një person të ekspozuar politikisht;
  2. b) personat të cilët janë pronarët përfitues të vetëm një personi juridik apo organizimi ligjor, i cili dihet se është krijuar për përfitimin de-facto të personit të ekspozuar politikisht. ”.

RRETHI FAMILJAR

Anëtarët e familjes së personit të ekspozuar politikisht janë:

  1. a) bashkëshorti/ja apo bashkëjetuesi/ja e një personi të ekspozuar politikisht,
  2. b) fëmijët dhe bashkëshortët/et e tyre apo bashkëjetuesit/set,
  3. c) prindërit e një personi të ekspozuar politikisht

/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!