Qeveria ka nisur diskutimet me biznesin për paketën e re fiskale. Pritet që në draft të bëhen ndryshime në ligjin për tatimin mbi të ardhurat ku pritet ulja e tatimit mbi dividentin dhe pragun për tatimin e pagës.
Qeveria do të bëjë disa ndërhyrje në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, duke ulur tatimin mbi dividentin dhe duke riparë dhe njëherë pragun për tatimin e pagës.
Ekzekutivi i ka nisur për konsultim biznesit disa pika të paketës fiskale, ku i bën të njohur atij ndryshimet në ligjin e taksave, por pa shpallur normën që do të ketë tatimi i ri. Diskutimet janë që tatimi i dividentit të ulet në 10 ose 8%, nga 15% që është sot, ndërsa synohet që të zbutet progresiviteti për kufijtë e tatimit të të ardhurave mga paga.
Biznesit i është propozuar po ashtu përjashtim nga tatimi mbi vlerën e shtuar për lëndët e para të fabrikave të prodhimit farmaceutik, përjashtim nga TVSh për furnizimin me shërbim nga nënkontraktorët në industrinë fason dhe normë të reduktuar prej 10% të këtij tatimi për autobusët elektrikë të trasportit publik.
Minsitria e Financave po sheh mundësinë e heqjes së akcizave për fishekzjarret, llampat dhe bateritë dhe rritjen e akcizës për duhanin. Rregullime do të ketë edhe në skemën e pagesës së rentës minerare në industrinë e kromit, për të rritur vlerën e tij në eksport.
Mësohet se brenda kësaj jave, Minsitria e Financave do të shpallë edhe normën e tatimit për të gjithë rishikimet që do t’u bëjë ligjeve fiskale./abcnews.al