Me anë të një njoftimi në rrjetin social “Facebook” Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka njoftuar vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë mbi mbështetjen shtesë financiare për Këshillin Kombëtar në Serbi.
Cakaj e sheh këtë vendim shumë pozitiv ku sipas tij do t’i shërbejë nxënësve shqiptarë që do të ndjekin procesin mësimor në institucionet e sistemit parauniversitar në këto tre komuna: Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë
Postimi i plotë:
“Edhe një informacion tepër i vyer e shumë domethënës për Shqipërinë dhe shqiptarët
Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë sot ka vendosur dhënien e një mbështetjeje shtesë financiare për Keshillin Kombëtar në Serbi me qëllim blerjen e teksteve shkollore.
Ky vendim i shërben nxënësve shqiptarë që ndjekin procesin mësimor në institucionet e sistemit parauniversitar në tre komuna: Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.
Ky vendim është në funksion të rritjes së edukimit në përgjithësi dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në veçanti. Shqipëria mbetet e përkushtuar për rritjen e kujdesit për të gjithë shqiptarët në rajon dhe diasporë në përgjithësi✌…”, shkruan Cakaj.