Qeveria liron Agron Taren nga detyra e zv.ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme

schedule14:13 - 18 Mars, 2022

schedule 14:13 - 18 Mars, 2022

Qeveria ka vendosur që të lirojë nga detyra Agron Taren. Ky i fundit ka qenë zv.ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Tare u emërua në këtë detyrë në dhjetor 2019.

Në vitin 2000, ai ka qenë zyrtar në Departamentin e Organizatave Ndërkombëtare në MPJ, për t’u emëruar më pas drejtor i Zyrës së Minoriteteve. Nga viti 2001 deri në 2005-ën, Tare ka qenë këshilltar i Jashtëm në bashkinë e Tiranës, kur ky institucion drejtohej nga Edi Rama.

Në vitet 2002-2006, Agron Tare ka qenë anëtar i Grupit Negociator mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe BE, ndërsa  në vitet 2014 – 2019 ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll.

Deri në tetor të këtij viti, Tare ishte drejtor i Portit të Durrësit.

Përpara se të merrte detyrën e drejtorit të portit më të madh të vendit, Agron Tare u përfol në media se kishte probleme me drejtësinë italiane mbi bastet online, por më pas u konfirmua se Prokuroria e Barit nuk kishte ngritur asnjë akuzë ndaj tij.

Agron Tare është vëllai i drejtorit Sportiv të Lazios, Igli Tare, si dhe i aktivistit Auron Tare.

Vendimi i qeverisë

V E N D I M
PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Agron Tare, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!