Qeveria ka vendosur lëvrimin e fondit për rindërtimin e banesave në tre bashki që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.
Fondi prej 300 milionë lekësh do të përdoret për financimin e rikonstruksionin e pallateve në Mirditë, Vorë dhe Rrogozhinë.
Vendimi i plotë
Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 316 970 000 (treqind e gjashtëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, në bashkitë Mirditë, Vorë dhe Rrogozhinë.
Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, dhe t’u kalojë bashkive Mirditë, Vorë dhe Rrogozhinë, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Mirditë i transferohet fondi prej 29 820 000 (njëzet e nëntë milionë e tetëqind e njëzet mijë) lekësh;
b) Bashkisë Vorë i transferohet fondi prej 176 250 000 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë) lekësh;
c) Bashkisë Rrogozhinë i transferohet fondi prej 110 900 000 (njëqind e dhjetë milionë e nëntëqind mijë) lekësh.
Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Mirditë, Vorë dhe Rrogozhinë për zbatimin e këtij vendimi./abcnews.al