Qeveria në mbledhjen e sotme vendosi që t’i japë 100 milionë lekë Akademisë së Shkencave për financimin e hartimit e të botimit të tre veprave madhore; Enciklopedia shqiptare, fjalori i madh i shqipes dhe historia e shqiptarëve. Prej pak kohësh Akademia e Shkencave ka ngritur grupin e punës për rishkrimin e historisë së shqiptarëve, ndërsa ka nisur edhe debati publik në lidhje me periudha të caktuara.
VENDIMI I PLOTE
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.18, DATË 20.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR VITIN 2021 PËR AKADEMINË E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008,“Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Pika 1, e vendimit nr.18, datë 20.1.2021, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Akademisë së Shkencave, në buxhetin e saj të miratuar për vitin 2021, i shtohet fondi total prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, i cili detajohet, si më poshtë vijon:
- a) 96 000 000 (nëntëdhjetë e gjashtë milionë) lekë në zërin “shpenzime korrente”;
- b) 4 000 000 (katër milionë) lekë në zërin “shpenzime kapitale”,
për financimin e hartimit e të botimit të 3 (tri) veprave madhore albanologjike dhe enciklopedike, përkatësisht:
- Enciklopedia shqiptare;
- Fjalori i madh i shqipes;
iii. Historia e shqiptarëve.”.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
db/ Abcnews.al