Gjykata Kushtetuese ka lëshuar sot një njoftim sa i përket kërkesës së VV-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretimit të Avdullah Hotit si kandidat për kryeministër. Kushtetuesja me anë të një komunikate për media ka sqaruar se deputetët përveç kësaj kërkese, kanë kërkuar edhe masën e përkohshme të pezullimit të zbatimit të Dekretit.
Ndër të tjera në postimin e saj Kushtetuesja thekson se ka kërkuar nga të gjitha palët e interesit, t’i dërgojnë komentet e tyre përkitazi me masën e përkohshme. Afati i fundit është caktuar dita e sotme, deri në orën 12:00.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka pranuar të enjten, më 30 prill 2020, rreth orës 17:00, një kërkesë të parashtruar nga 30 deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përmes së cilës kërkohet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, të Presidentit të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj, në kërkesën e parashtruar, deputetët parashtrues kanë kërkuar nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullim të zbatimit të Dekretit në fjalë.
Me qëllim të shqyrtimit urgjent dhe gjithëpërfshirës të kërkesës, me numër të rastit KO72/20, Gjykata dje ka dërguar shkresat njoftuese përmes së cilave ka kërkuar nga të gjitha palët e interesit në këtë rast që: a) Komentet përkitazi me kërkesën për caktim të masës së përkohshme t’i dorëzojnë në emailin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese sot, më 1 maj 2020, në orën 12:00; b) Komentet përkitazi me meritat e kërkesës, t’i dorëzojnë në Gjykatë deri më 8 maj 2020, në orën 16:00. Njoftimi për regjistrimin e kërkesës së parashtruar nga deputetët dhe për dorëzimin e komenteve tashmë u është dërguar: Presidentit të Kosovës; Kryeministrit të Kosovës; Kryetares së Kuvendit të Kosovës, me kërkesën specifike që kopja e kërkesës t’u dërgohet të gjithë deputetëve të Kuvendit; dhe Avokatit të Popullit. Gjykata Kushtetuese është e përkushtuar që në përputhje me përgjegjësitë dhe me funksionin e saj kushtetues, këtë lëndë ta trajtojë me urgjencë dhe prioritet./abcnews.al