“Favorizohen pronarët”, flet minatori për vdekjet në Bulqizë: Kolegët heshtin se i mbajnë nën presion

schedule20:06 - 2 Tetor, 2021

schedule 20:06 - 2 Tetor, 2021

Emisioni Vetting- Bulqiza si ëndërr e keqe

Flaka e qirinjve që shpërndahej zbehtë xeherorëve, në shpatet afër galerisë, ishte protesta e heshtur e minatorëve të Bulqizës këtë fund shtatori. Në përkujtim të kolegëve që s’janë, minatorët që shembin shkëmbinj në kurriz të maleve, nuk mund të rebelohen, as të rrëzojnë nga karriget zyrtarët e kollarisur, por mundohen të fshehin lotët në terrin e natës. Kostoja e lartë e varfërisë dhe e papunësisë, i detyron të japin në heshtje lamtumirën minatorit Muharrem Plaku, viktimës të 677-të që ndahet nga jeta gjatë punës në minierë.

Një masiv i madh kromi u shemb e u bë mur për t’ia ndalur përgjithmonë dritën, e rrugën e kthimit. Muharrem Plaku qëndroi pesë ditë në fundin e galerisë, në thellësinë 450 metra. Orët e vona të datës 20 shtator, u gjet i pajetë trupi i tij në fundin e galerisë. Në moshë pensioni, tuneleve të galerisë, e kishte rikthyer nevoja për të shlyer një kredi.  Ishte një nga minatorët më të zotë të Bulqizës. Siç thonë kolegët e tij, ai mësonte më të rinjtë e kujdesej për kolegët. E megjithatë, sipas Autoritetit për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, vdekja i erdhi pikërisht për shkak të pakujdesisë së tij, pasi “ka hyrë në një hapësirë të vjetër të zonës së shfrytëzimit”.  Përsëri faji i mbetet viktimës apo përgjegjësit të turnit…

Edhe pse rrallëkush në këtë vend e njeh si ata peshën e padrejtësisë, që e thellon tragjedinë njësoj si masivët shkëmbor që u vërsulen në befasi, ata kanë frikë të flasin. Në një ditë të zakonshme pune, kur disa syresh janë duke lënë turnin e dytë,  gazetarët e “Vetting” përpiqen të bisedojnë me minatorët e Bulqizës për të kuptuar nevojat, por edhe vështirësitë e punës në minierë.

Nga radha e gjatë e burrave të Bulqizës, ku djemtë e rritur para kohe ecin me kokën mënjanë e qesen e bukës në duar, pranon të flasë vetëm Lulzim Alla. Ai është nga brezi i tretë i minatorëve dhe po ashtu është anëtar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës…

“Kanë frikë  se i kanë mbajt nën presion. Nuk duan të shfaqen… kanë frikë… Unë kam frikë atje brenda në galeri, nuk kam frikë jashtë galerisë, -thotë Alla për kolegët që refuzojnë të flasin.

Janë mesatarisht 7 minatorë në vit, që nuk arrijnë të kthehen të gjallë në pragun e shtëpisë.  Ndërsa numri i të aksidentuar shumëfishohet. Vetëm në vitin 2019 sipas të dhënave të Inspektoriatit të Punës u shkaktuan 27 aksidente, nga të cilat 7 me pasojë vdekjen. E ndonëse në pandemi, e me punën e kufizuar, edhe gjatë vitit 2020, 5 minatorë humbën jetën, nga 28 aksidente të ndodhura. Pesha e fajit nuk bie mbi drejtuesit e administratorët e minierave, po godet sërishmi në hallkën më të brishtë.

“Nuk mund t’i mbetet përherë faji viktimës… se askush nuk hyn atje që të vritet… as unë nuk dua të vritem, asnjë mintator nuk do të vritet. Ato janë aksidente që ndodhin dhe nuk ka pse ta marrë fajin viktima. Le të bëhet transparente ashtu siç ka ndodhur ngjarja, nëse e ka viktima le ta thonë, por ka shumë momente që nuk ndodh për shkak të viktimës dhe s’ka pse t’i mbetet faji viktimës gjithmonë”, – shprehet minatori.

E pavarësisht tronditjes, punonjësve të nëntokës, në  shkëmbinjtë që shokët gjymtohen e lënë jetën u duhet të vijojnë të kërkojnë mineralet, kromin. Ndërsa, familjarët përjetojnë ditë e natë humbjen e njerëzve të dashur, e jetojnë me makthin se një tjetër tragjedi do të sos.

Heshtja e bulqizakëve nuk është e rastësishme, ajo është e imponuar nga indiferenca 30-vjeçare e institucioneve shtetërore. Halli i minatorëve nuk ka qenë dhe nuk është obligim i qeveritarëve.

“Qeveria favorizon pronarët. Qeveria me pronarët janë një, janë bashkë dhe nuk shohin hallin e minatorëve. Ne kemi kontribuar një jetë të tërë në minierë. Nuk jam vetëm unë, por jemi tre breza që kontribuojmë në minierë dhe janë lënë në harresë. Ja si shkojnë gratë  për të mbledhë krom nëpër stogje… 25 lekë kilja bën…”

//Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!