Qeveria e Serbisë mori vendim të mërkurën për ngrirjen e të gjitha stërvitjeve dhe aktiviteteve ushtarake me të gjithë partnerët, konfirmoi shërbimi për media i Qeverisë së Serbisë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Një ditë më herët, Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë, përmes rrjetit social Telegram, publikoi informacionin se stërvitja ushtarake “Vëllazëria sllave 2020”, në të cilën marrin pjesë forcat e armatosura të Rusisë, Bjellorusisë dhe Serbisë, do të mbahet në shtator në Bjellorusi.
Aty u bë e ditur se stërvitja, e komanduar nga Forcat e Armatosura të Bjellorusisë, do të mbahet në qytetin Brest dhe se ardhja e pjesëmarrësve pritet midis 10 dhe 15 shtatorit.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha pas mbledhjes së qeverisë se Serbia ndodhet nën presion “të tmerrshëm dhe të pamerituar” nga Bashkimi Evropian.
“Presionet që nuk kanë kuptim dhe nuk bazohen në vendimet ose veprimet tona, apo edhe në realitet, janë rezultat i histerisë që përcakton vendimet politike dhe drejtimet e vendeve të mëdha dhe të fuqishme”.
“Na kërkohet që t’i lëmë stërvitjet e planifikuara ushtarake me Bjellorusinë, me koston e largimit nga e ardhmja jonë evropiane dhe me koston e një presioni edhe më të madh mbi politikën tonë, por edhe mbi njerëzit tanë në ‘Kosovë dhe Metohi’ dhe në Republikën Sërpska”, tha Vulin.
Ai theksoi se me vendimin e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë, Serbia është “vend neutral ushtarak”.
“Për të ruajtur pozicionin e neutralitetit ushtarak, për të shmangur ose, së paku, për të zvogëluar pasojat e sulmeve të intensifikuara ndaj vendit tonë, politikës dhe ekonomisë sonë, Qeveria e Republikës së Serbisë ka vendosur që t’i ndalojë të gjitha stërvitjet dhe aktivitetet ushtarake me të gjithë partnerët në gjashtë muajt e ardhshëm, pa dallim”, tha Vulin.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe Ministrisë së Jashtme të Serbisë për komente.
Përgjigje në pyetjen nëse ministria është konsultuar në lidhje me shkuarjen e pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë në Bjellorusi – vend që është përfshirë nga trazirat që nga zgjedhjet e muajit të kaluar – REL nuk ka marrë ende.
Peter Stano, zëdhënës i përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka qenë po ashtu pa koment në pyetjen e Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë çështje.
Për stërvitjen e paralajmëruar ushtarake nuk është deklaruar as NATO-ja/REL