Ekzekutivi i ri në Maqedoninë e Veriut pritet që të fillojë punë me 7 ministra më pak. Nga 26 ministra që janë aktualisht, në qeverinë e re që do të kryesohet nga Zoran Zaev do të ketë 19 ministra.
Ata që do të hiqen janë ministrat pa portofolë.
Kështu, Ministritë që shkrihen janë:
-Ministri pa portofol përgjegjës për Diasporën
-Tre ministra pa portofolë përgjegjës për Investimet e Huaja
-Ministri pa portofol përgjegjës për Komunikimet, Përgjegjshmërinë dhe Transparencën
-Ministri pa portofol përgjegjës për zbatimin e Strategjisë për Përmirësimin e Situatës së Romëve
-Ministri pa portofol për Rregullimin për të përmirësuar klimën e investimeve për kompanitë vendase
LSDM do të ketë 11 ministra, tetë prej të cilëve me portofol dhe tre zëvendëskryeministra.
Ministria e Bujqësisë, do të drejtohet nga Lëvizja Besa, ndërsa ministër i Pushtetit Lokal do të jetë nga PLD që të dy partnerë të koalicionit parazgjedhor “Mundemi”.
BDI do të ketë gjashtë anëtarë në qeveri. Me gjithë deputetin e PDSH-së shumica parlamentare në Kuvend do të jetë prej 62 deputetësh.