Organet e larta partiake të LSDM sot vendosin për emrat e ministrave në qeverinë e re të Maqedonisë që do të kryesohet nga Dimitar Kovaçevski.
Sipas portalit “Lokalno”, pozita e zëvendëskryeministrit kundër korrupsionit do t’i kalojë ish-deputetes së LSDM-së, Sllavica Grkovska, ndërsa Ljupço Nikolovski do të shkojë në bujqësi.
Në postin e ministres së Kulturës do të jetë nënkryetarja e LSDM-së, Bisera Stojçevska, ndërsa Ministria e Mbrojtjes do të drejtohet nga deputetja Slavjanka Petrova, përcjell INA.
Ministër i ri i drejtësisë do të jetë profesori në Fakultetin Juridik, Nikolla Tupançeski, i cili do të zëvendësoj Bojan Mariçiqin. Ky i fundit shkon në postin e zvkryeministrit për eurointegrime.
Do të ndrrohet edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, ku në vend të Jagoda Shahpaskës vjen Jovana Trençevska, e cila tani është drejtoreshë e Inspektoratit Shtetëror të Punës.
Ndërsa sipas informacioneve nga LSDM, në MPB si ministër mbetet Oliver Spasovski, po ashtu edhe Bllagoj Boçvarsmi si ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Përbërja e re sonte duhet të marrë dritën jeshile edhe nga organet e larta të LSDM-së. Plani është që propozimi i kabinetit të hyjë nesër në Kuvend bashkë me programin.
Dimitar Kovaçevski, pas marrjes së mandatit nga kreu i shtetit, tha se planifikon ta propozojë qeverinë rreth datave 10-11 janar, gjegjësisht në një periudhë më të shkurtër se sa parashikohet me Kushtetutë. Tre ministra të rinj pritet të jenë nga Alternativa: Bekim Sali në Shëndetësi, Admirim Aliti në ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës si dhe Xhemail Çupi si ministër pa resor përgjegjës për diasporën.