Kuvendi i Malit të Zi zgjodhi mëngjesin e së martës qeverinë e re, 4 muaj pas zgjedhjeve të fituara nga Lëvizja Evropa Tani. Pro qeverisë së Milojko Spajiç votuan 46 deputetë nga partia e tij, partia pro ruse Fronti Demokratik, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare.
Për këtë çështje po diskutohet në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla Analisti Mentor Nazarko theksoi se kemi një rikrijim të frontit të dikurshëm pro serb. Sipas tij, pro perëndimorët në këtë koalicion janë shqiptarët, gjë që sipas tij, do t’i japë faktorët shqiptar atje rëndësi të madhe.
“Duke u shtyrë pak në kohë me ngjarjet e tre viteve të fundit, ku Abazoviç ka qenë ideatori dhe motivuesi i thuajse të gjithë proceseve më të rëndësishme në Mal të Zi, si për t’i dhënë karakteristikën kryesore në një sondazh të fundit, përqindja e qytetarëve malazezë që identifikohen me Malin e Zi, është rritur në 75 për qind. Mbështetja për BE dhe NATO-n gjatë këtyre tre viteve të fundit është rritur në shifra të përafërta 75 për qind, që është tregues i qartë që gjatë këtyre tre viteve, Mali i Zi përforcoi kursin e saj pro perëndimor.
Koalicioni qeverisës ka dy shpirtra kryesor, që e përfaqëson Lëvizja Evropa Sot, që është origjinalisht një grup teknokratësh dhe menaxherësh që vijnë prej frontit pro serb të dikurshëm, por ama që kanë demonstruar të paktën publikisht orientim pro perëndimor. Blloku tjetër është pro serb dhe pro rus, i cili gjatë këtyre tre viteve u tkurr në 14 deputetë nga afro 30 që kishte në zgjedhjet e mëparshme. Sot ka kryetarin e kuvendit dhe pas një viti do të ketë 3 ministri të tjera. Kemi një rikrijim të frontit opozitar të dikurshëm, Lëvizja Evropa sot me 24 deputetë, fronti pro serb që ka këtë qasje revizioniste për historinë e afërt dhe të largët dhe një parti tjetër e Aleksa Beçiç, i cili ishte në koalicion me Abazoviç. Shqiptarët kanë ofruar tre vota, të cilat i janë shtuar 46 të tjerëve.
Parlamenti malazez ka 81, shumica është 41 dhe shumica e cilësuar për ndryshimet me 3/5, pra shqiptarët kanë ofruar përbërësen pro perëndimore që i ka dhënë ngjyrë pro perëndimore apo ka legjitimuar këtë qeverisje. Po të mos ishte kështu, nëse nuk do të ishin shqiptarët, kroatë nuk ka në këtë qeverisje. Asnjë pakicë nuk pranoi që të merrte pjesë në këtë qeveri dhe kjo gjë i jep rëndësi shqiptarëve deri në atë pikë që kanë marrë tre ministri, që është një arritje shumë e madhe. Kanë marrë zëvendës kryeministrin për zhvillim ekonomik, Nik Gjeloshaj, kanë rikonfirmuar Marash Dukajn si ministër i novacionit dhe ministrinë e pakicave me Fatmir Gjekën.“, u shpreh Nazarko./abcnews.al