Nikollë Gegaj nga DPS, në një intervistë për “Ballkan Update”, theksoi se në pranverë Mali i Zi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo sipas tij, vjen për shkak se qeveria e re, që mbështetet nga partitë pro serbe, nuk do të jetë shumë afatgjatë dhe do të bjerë shumë shpejt.
“U formua një maxhorancë me Andrija Mandiç që është krenar që të thirret se është prijës i çetnikëve dhe u votua me votat e jo vetëm të grupacioneve të serbëve, por edhe pro malazezë dhe u përkrah nga disa subjekte politike shqiptare. Mendoj se një qeveri e tillë, me një përbërje serbe që kryesohet nga Mandiç, që nuk e ka dënuar gjenocidin në ’95, nuk pranon Kosovën por vrapimi i tij që të përshëndesë zgjedhjet në Serbi krah për krah me Dodik dhe Vuçiç tregon se ujku mund ta ndërrojë qimen por jo vesin. Pra Mandiç haptas deklaroi me deklaratën e tij se është duke evoluar por një presion brenda këtij grupacioni, me deklaratat e tyre që Kosova është ende pjesë e Serbisë dhe kurrë nuk do ta pranojnë si shtet të pavarur por edhe veprimet ne gjenocidin në Srebenicë dhe akuzat që priten nga Mandiç, të gjitha këto na çojnë në pesimizëm se kjo qeveri nuk mund të jetë afatgjatë. Mendoj se në pranverë, mendoj se Spajiç që është duke u treguar pro evropian nuk do të pranojë një gjë të tillë dhe do të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.”, theksoi Gegaj.
Duke u ndalur tek kërcënimet e Milorad Dodik se republika Srpska do të shkëputet nga Bosnje Hercegovina, Gegaj tha se një gjë e tillë nuk është e mundur të realizohet. Ai thotë se Dodik është një vegël në duart e Beogradit dhe se Perëndimi nuk do ta lejonte shkëputjen nga shteti i Bosnjes.
“Republika Srpska nuk mund të formojë diçka në vete si shtet edhe pse tendencat e Dodik janë të tilla. Dodik është instrument në duart e Vuçiç. Ai dëshiron t’i tregojë botës se nëse nuk hiqet dorë nga Kosova dhe nuk është pjesë përbërëse e Serbia akoma siç mendon Dodik, edhe ne do të kërkojmë pavarësinë. Pra është absurde se Kosova dhe Republika Srpska asgjë nuk kanë të tilla. Jam i bindur se unioni evropian, edhe pse është i befasuar nga luftërat e ndryshme, nuk do ta lejojë. Bosnja është e bazuar në marrëveshjen e Dejtonit dhe duhet të jetë si shtet sikurse sot dhe Republika Srpska si entitet i saj. “, tha Gegaj./abcnews.al