Nga Dorina Kurtaj- Qeveria e dytë e kryeministrit italian Xhuzepe Konte është betuar në Presidencë, duke synuar të cojnë deri në fund mandatin prej 3 vitesh e gjysmë. Në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave u vendos që të jetë ish-kryeministri Xhentiloni, kandidat për komisioner në Bashkimin Europian.
Është krijuar qeveria Konte BIS, me kryeministrin dhe 21 ministrat e tij të cilët u betuan paraditen e së enjtes në presidencë para kreut të shtetit Matarela.
“Të fortë me një program që sheh drejt të ardhmes. Me këtë ekip dhe me energjitë më të mira do të bëjmë Italinë një vend më të mirë në interest ë të gjithë qytetarëve nga veriu në jug”. Kështu u shpreh një ditë para betimit kryeministri Xhuzepe Konte pasi kishte dorëzuar listën e ministrave të ekzekutivit të ri verdhekuq. Mënjëherë pas betimit në Presidencë, qeveria u transferua në kryeministri ku u zhvillua ceremonia e këmbanës, pra e marrjes së postit dhe më pas vijoi mbledhja e parë e Këshillit të Ministrave. Një nga vendimet e para të ekzekutivit të ri ishte kandidatura e ish-kryeministrit Paolo Xhentiloni për postin e komisionerit në Bashkimin Europian. Qeveria e re mëngjesin e të hënës duhet të marrë votëbesimin e parlamentit dhe të martën atë të senatit.
Një ndër të parët që uroi ekzekutivin e ri ishte ish presidenti i Komisionit Europian Zhan Klod Junker. Ai u shpreh i bindur se me këtë qeveri Italia do të jetë në lartësinë e duhur të përgjegjësive të saj si një nga vendet anëtare themeluese të Bashkimit Europian.
Por ka pasur dhe nga ata që nuk e kanë pritur mirë këtë ditë. Lideri i Legës Mateo Salvini, tashmë i konsideruar në opozitë, postoi në profilin e tij Tuiter një fotografi të një kryqi të madh. Më poshtë ai shkruante se ai kryq mbron Italinë, vlerën, kulturën, identitetin dhe lirinë e saj. Ai e cilësoi qeverinë e re si një të “porsalindur” të Brukselit.
Për shkak se kjo është qeveria e dytë radhazi e Kryeministrit Konte, nuk ka mundur të kryhet rituali i kalimit të këmbanës. Tradicionalisht këmbana i kalohet kryeministrit të ri nga kryeministri në largim. Por në këtë rast Xhuzepe Konte mbante të dy postet.
Ndërkohë zv/presidenti i Komisionit Europian Frans Timermans në urimin e tij e cilësoi qeverinë e dytë të Kontes si një gjë të mirë për Europën. Ai u shpreh i bindur se qeveria e re italiane është pozicionuar shumë qartë në linjat pro europiane për të gjetur zgjidhje të përbashkëta me pjesën tjetër të Bashkimit Europian. Por laburisti holandez nuk pranoi të komentojë kandidaturën e Xhentilonit.
Salvini në reagimet e tij nuk ka kursyer kritikat dhe për ministrat duke e cilësuar ministrin e ri të ekonomisë si të bekuar nga Brukseli.
Avokatë dhe profesorë universitarë janë dy profesionet që kanë pjesa më e madhe e ekzekutivit të ri Italian: plot 7 anëtarë të kabinetit qeveritar Konte 2 në Itali. Ndërsa tek të tjerët bien në sy profesione si inxhinier, menaxher apo dhe sindikalist.
Katër nga qeveritarët e rinj të Italisë janë të padiplomuar, por me tipiku ndër ta është Luixhi Di Maio, kreu i Lëvizjes 5 Yje, aktualisht Ministër i Jashtëm i Italisë. Sipas mediave italiane në CV-në e tij ai ka eksperienca si uebmaster, gazetar sportiv, asistent regjisor, kamarier dhe stjuart në stadiumin San Paolo.
Përveç kreut të lëvizjes 5 yje, tre ministrat e tjerë pa diplomë janë Vincenzo Spadafora, 44 vjeç, ministër i politikave rinore dhe sportit, 46 vjeçari Enco Amendola, ministër për çështjet europiane dhe siciliania Nuncia Katalfo, ministre e punës.
Di Maio është edhe ministri më i ri në moshë 33 vjeç, ndërsa më e moshuara është ministrja e brendshme Luçiana Lamorgeze, e cila mbush 66 vjeç pas disa ditësh. Femrat përbëjnë rreth 30% të kabinetit Konte 2.
10 ministri i kanë shkuar partisë Lëvizja 5 Yjet, 9 Partisë Demokratike dhe 1 partisë të Lirë dhe të Barabartë.
Për të patur një mazhorancë sa më të gjerë, koalicioni qeverisës ia besoi Ministrinë e Shëndetësisë partisë të Lirë dhe të Barabartë, e drejtuar nga ish-kreu i Senatit, Pietro Grasso.
Analistët në Itali shprehen skeptikë për sa i përket jetëgjatësisë së kësaj qeverie duke u marrë parasysh ajo që ndodhi mes Legës dhe lëvizjes me Pesë Yje.
Pikëpyetja për jetëgjatësinë është e përhershme që në momentin e parë të betimit të një qeverie e re. kjo duke u nisur dhe nga fakti se të dy partitë politike që do të qeverisin vendin, kanë gjetur një pjesë të mirë të identitetit të tyre politik gjatë fushatës elektorale. Për këtë arsye, ekziston frika se dëshira për të mbajtur distancat nga aleati në qeveri për të rifituar besimin e humbur në elektorat mund të shkaktojë surpriza të tjera jo të bukura. Por këtë herë kjo betejë politike është përfundimtare. Lideri i Legës Salvini, popullariteti i të cilit ka shënuar rënie kohët e fundit, do të përqendrojë të gjitha forcat e tij në një opozitë të fortë. Ndërsa lëvizja me pesë yje dhe Partia demokratike duhet të përballen me përçarjet e brendshme, ndërkohë që në sfond secili përgatit ofensivën për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Mediat ndërkombëtare gjithashtu i kanë dhënë një pasqyrim të gjerë situatës politike në Itali. E përditshmja belge “Lë Suar” shkruan se uniteti i qeverisë së dytë të Kontes, është vetëm një fasadë, dhe pse thekson se ekzekutivi i ri është i ekuilibruar, por i brishtë. Më tej shkruhet se Konte është në dijeni se Bashkimi Europian do tregohet i butë kur të flitet për shpenzimet publike. Lë Suar shton se hapja e krizës nga ana e Salvinit ishte një vetëvrasje politike duke vendosur theksin nga ana tjetër se si koalicioni i ri mes Lëvizjes me pesë yje dhe partisë demokratike është shumë i brishtë.
Mediat britanike e konsiderojnë qeverinë italiane si vula për për fundin e periudhës së Salvinit. Sipas tyre qeveria e re italiane po përpiqet të mbyllë çdo gjë me të kaluarën dhe të lërë pas krahëve politikat e liderit legist Mateo Salvini.
Tajms shkruan se koalicioni i ri qeverisës në Itali ka zhvendosur vëmendjen nga çështja e emigrantëve. Ndërsa Guardian e cilëson ekzekutivin e ri si një ndarje përfundimtare nga periudha e Salvinit. Pasardhësja e tij në postin e ministres së jashtme konsiderohet ndër të tjera si një specialist e politikave për emigracionin.
Zhvillimet e fundit politike në disa vende të Europës, shihen nga analistët si një lëvizje e bindur për ti dhënë fund populizimit Brenda Bashkimit Europian.
Tre ngjarje gjatë kësaj jave, japin arsye për të patur shpresë. Së pari, të dielën në Gjermani, partia ekstremiste e krahut të djathtë Alternative für Deutscheland (AfD) nuk arriti të zinte vendin e parë në zgjedhjet lokale në 2 lande, në të cilat kishte mundësinë të formonte qeverinë lokale, në Saksoni dhe Brandenburg.
Në të dyja landet, ka shumë qytetarët të pakënaqur, pasi ish-Gjermania Lindore është ende më e varfër se sa pjesa perëndimore e vendit, ndonëse kanë kaluar 30 vjet nga ribashkimi. Duke mos e përjetuar asnjëherë emigrimin nën sundimin komunist para vitit 1990, shumë njerëz në lindje të vendit, jetojnë nën panikun e përhershëm se mund të asfiksohen nga emigrantët, megjithëse në realitet ka shumë pak të tillë.
Kështu, ndër 16 landet e Gjarmanisë, Brandenburgu dhe Saksonia duhej të ishin fitoret më të lehta për AfD, por në fakt nuk rezultuan të tilla. AfD, u rendit e dyja në të dyja landet. Por në të dyja rajonet pati një pjesëmarrje jashtëzakonisht të lartë votuesish. Dhe kjo kryesisht për shkak të shkuarjes në kutitë e votimit të njerëzve që zakonisht janë indiferentë, por që këtë herë e kuptuan se votat e tyre ishin të nevojshme, për të ndaluar ngjitjen në pushtet të ekstremistëve të AFD.
Së dyti, ta martën në Itali u kuptuar se Lega e ekstremit të djathtë, mbeti tërësisht e mënjanuar. Kur dikur quhej Lega Nord, ajo ishte një parti haptazi raciste, dhe donte të shkëputej nga Italia, për t’u larguar nga italianët “dembelë dhe të korruptuar të jugut”.
Lega po ecte mirë në sondazhe. Prandaj drejtuesi i saj, Mateo Salvini, e prishi koalicionin me shpresën se do të bëhej kryeministër, pas zgjedhjeve të reja të parakohshme. Në vend të kësaj, Lëvizja Pesë Yjet gjeti një partner të ri në koalicion, Partinë Demokratike të së majtës.
79.634 anëtarë të Lëvizjes Pesë Yjet, miratuan marrëveshjen me një votim në internet. Tashmë Legës mund t’i duhet të presë edhe 3 vjet e gjysmë, deri në zgjedhjet e reja parlamentare. Dhe ndoshta deri atëherë, mbështetja ndaj saj në sondazhe mund të bjerë.
Më pas vjen Britania e Madhe, ku më 3 shtator kryeministri i ri konservator Boris Xhonson u përball për herë të parë në parlament, dhe humbi në një votim të rëndësishëm, teksa 21 deputetë nga partia e tij votuan kundër tij.
Aktualisht, Xhonson po shtiret sikur po negocion me Bashkimin Evropian. Ndërsa në realitet, ai po planifikon të largojë vendin nga BE pa asnjë marrëveshje, gjë që do ta dëmtonte seriozisht ekonominë britanike. Nga ana tjetër, ajo do të garantonte të ardhmen politike, si njeriu që arriti të realizojë Brexit, edhe pse një Brexit shumë më në ekstrem, sesa mund të imagjinohej në referendumin e 2016-ës.
Një Brexit i tillë, do të krijonte mundësi të mëdha për “kapitalistët e katastrofës”, të cilët financuan lëvizjen Brexit, dhe që shpresojnë të ndajnë mes tyre burimet e një Anglie të paralizuar. Sigurisht, që kjo situatë u jep vendeve jo-angleze të Mbretërisë së Bashkuar, dhe veçanërisht Skocisë, një pretekst të përsosur për të mbajtur një referendum për pavarësi nga unioni.
Por e ardhmja politike e Borisit nuk është e qartë. Ai është aktualisht pretendent për të qenë kryeministri më jetëshkurtër në historinë britanike, pasi humbja e fundit në parlament dhe dezertimi i shumë deputetëve të moderuar konservatorë, nënkupton se duhet të ketë zgjedhje të reja, të cilat Xhonsoni mund t’i humbasë.
Këtë javë, nuk pati fitore epike, dhe as pika kthese vendimtare. “Virusi” i nacionalizmit, po infekton ende politikën e shumë vendeve evropiane. Madje edhe e ardhmja afatgjatë të Bashkimit Evropian, garantuesi i paqes në kontinent gjatë 60 viteve të fundit, nuk mund të merret më si e mirëqenë.
Por tanimë është e qartë se nacionalistët ekstremit të djathtë, mundet edhe të humbasin dhe jo vetëm të fitojnë. Kjo duhej të ishte e qartë edhe më parë. Por populistët dukeshin thuajse të pandalshëm kur ngritën krye në vitin 2016. Brexit dhe Trump, pastaj Hungaria dhe Polonia, më vonë Italia dhe Gjermania. Lind pyetja:”Po tani kush e ka radhën?”.
Por tashmë joshja ndaj tyre është zbehur. Nacionalistët fitojnë diçka, por humbasin diçka tjetër. Dhe këtë javë pësuan 3 humbje të rënda. Padyshim që ata do të jenë rreth e rrotull edhe për një farë kohe. Por mund të jemi duke parë kulmin e valës së populizmit, që më pas do të pasohet nga rënia e tij. /ABC News Albania 24/7