Qeveri teknike

schedule14:14 - 2 Tetor, 2024

schedule 14:14 - 2 Tetor, 2024

Nga Edison Ypi

S’ka asnjë problem nëse Qeveria Teknike që dëshiron dhe kërkon Opozita formohet si lëshim i padëmshëm që u bëhet të dënuarve me humbje të përjetëshme të thithin një cigare pak çaste para pushkatimit elektoral ose varjes në litar zgjedhor.

Kryeministër: Dhëndrri budalla, boshnjak, hajdut, llapaqen, spiun, tarallak. Me tërë këto cilësi menazhuese dhe shtetformuese që ka, kaq gjë e meriton dhëndrri budalla.
Ministër i Brendshëm: Çim Peka. S’ka Shqipëria një tjetër më serioz dhe autoritar se Çim Peka, i cili, i paisur nga Zoti me kaq autoritet, seriozitet, pathos dhe pasion, sa me 1 fjalë të vetme urdhërore në Fejsbuk “Digjeni !” të gjithë deputetët shkuan vrap dogjën karriket e Parlamentit. Duket si veprim autodestruktiv. Por sa kohë komanda në fjalë s’është më tepër se një provë gjenerale për të kaluar, aspak për faj të Çimit, nga Qeveria Teknike në humbjen e sigurtë dhe të përherëshme të zgjedhjeve, s’ka asnjë problem.

Ministër i Jashtëm: Ai gagaçi nga Parisi që s’po më bie në hatër emri, e meriron plotësisht. Siguria e plotë me të cilën gagaçi me syze shqipton hajvanllëqet më të çartuna për çështjet më të nxehta të planetit, është garancia se në fund të mandatit të Qeverisë Teknike, detyrën e lartë do ta ketë kryer me aq përpikmëri, sa do meritojë mu në lule të ballit një domate të kabur.
Ministër i Propagandës: Karipllari është më i miri. Karipllari s’e ka haberin e gazetarisë, dhe në përgjithësi me median serioze është me vite dritë larg, ama di në majë të gishtave të gjitha rraqet, zgëqet, vrimat, kulisat, preferencat, interesat, ky, ay, ata, këta, njëri, tjetri, këtu, këtje, është në korrent me të gjitha dallaverat dhe prapaskenat mbi dhe nën rrogoz të gjithkujt që ka paturpësinë të zhgarraviti nëpër gazeta ose portale apo pafytyrësinë të llomotisi nëpër banaqe. Në fund të mandatit teknik, për merita të padiskutueshme në uljen si kurrë më parë të nivelit profesional të mediave, Karipllari do meritojë një vezë të prishur në surrat.

Ministër i Mediokritetit: Adi Krasta, ai që, jo se mediokër është vetë, por mediokritetin e ambalazhon më bukur se gjithkush tjetër me pyetje kilometrike. Që nisin në Tiranë, arratisen në Librazhd, vazhdojnë në Kukës, ikin në Kinë, kalojnë nga Australia, kthehen në Roskovec, dhe nga Roskoveci s’dihet ku përfundojnë, duke ja torolleps menien të ftuarit deri në vjellje, pjerdhje, kolla, teshtima të parezistueshme. Ça heq i ziu Ylli Manjani, thuaj, që kapjen fillit të muhabetit të Adit do ja tregoj vorrit. Pas ferrit të kapjes së fillit të nakatosjes së pyetjes me përgjigjen, u pa puna, Manjani nis e i thur vetë të gjitha.

Ministër i Autodestruktivitetit: Sali Kulla. Ka 30 vjet që e ka dëshmu disa herë se është më i përshtatëshmi që di ta bëjë më së miri këtë detyrë të lartë. S’ka pse të mos pranojë. Me këtë rast Sali Kulla zbret nga penxhereja, shpëton nga SPAK-u, lirohet nga burgu, i hiqet Non Grata.
Ministër i Autoreferencialitetit: Andi Bejtja. Bejtja, si Drejtor, ta ketë për nder të sfidojë mënyrën klasike televizive të pjesëmarrjes nëpër banaqe të mysafirëve me ide të kundërta dhe debate të zjarrta, duke e zëvendësuar me mysafirë identikë që për vete dhe për audiencën prodhojnë gjumë duke bërë muhabet me miq e shokë që nuk i mbledh ideja, por leku. Risia që ka sjellë dhe do lëvrojë Bejtja në këtë Qeveri Teknike nuk ekziston në fytyrë të dheut. Nuk mund të përfytyrohet as te televizionet e kanibalëve. Madje, aq e sofistikuar sa në televizionin “Zyri Tv”, nuk ishte as në televizionin e Partisë së Punës. Por kur telenovela me titull “Sa kohë paret i marrim, për asgjë tjetër s’na rruhet” korr sukses, filmi vazhdon.

Ministër i Zjarrvënies: Aspak ai që të vete mendja ty lexues i dashur paksa i djallëzuar. Mul Noka me zjarrvënien s’ka lidhje. Muli vetëm sa ndezi me çakmak një copë letër dhe e hodhi mes grumbullit të karrikeve lagur me benzinë. Ministri, apo më saktë, Ministresha e ardhëshme e Zjarrvënies do jetë ajo anonimja e fshehjes në çantë të benzinës, pa të cilën nuk vlen asnjë çakmak, asnjë shkrepse, asnjë djegie.

Ministër i Arsimit: Henri Çili. Është i vetmi që e ka dëshmuar me vepra dhe jo me llogje se e ka energjinë, shkathtësinë, dhe talentin të ngrerë dhe të menazhojë në mënyrë ekselente institucion arsimor modern dhe me perspektivë të cilësisë më të lartë. Po ashtu dhe shtëpi botuese, organizim të Çmimit të Madh Kadare, e të tjera e të tjera thagma që vetëm Henri Çili i realizon. Me këtë rast Henri Çili del dhe nga strofkulla ku një Zot e di pse është strukur.

Minstër i Turizmit: Namir Lapardhaja. Për të mos lënë në duar të hajdutëve ta bëjnë kashtë e koqe e rrush e kumbulla këtë që deri më sot është arritur në Turizëm, demokratin e ndershëm dhe të pakompromis Namir Lapardhaja, qeveria në fjalë duhet, jo vetëm ta pranojë, por të përulet para tij në pozën Sus Majmun. Ministra të ndonjë partie tjetër s’lypsen. Përndryshe nuk do quhej Qeveri Teknike por Qeveri Koalicioni. Për më tepër që humbja katastrofike e kësaj Qeverie Teknike është më e sigurtë se ekzistenca e Malit të Tomorrit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!