“Qentë nuk duhet të qethen gjatë verës”, disa këshilla që duhet të dinë pronarët e kafshëve shtëpiake

schedule11:17 - 21 Qershor, 2023

schedule 11:17 - 21 Qershor, 2023

Menaxherja e Spitalit Veterinar, Ornela Mebelli ka dhënë disa këshilla për të gjithë personat që kanë kafshë shtëpiake. Ajo është ndalur te kujdesi gjatë stinës së verës, veçanërisht gjatë sezonit të plazhit. Mebelli ka këshilluar të gjithë pronarët që mos t’i qethin qenushat pasi qimet i mbrojnë ata.

“Nuk është e këshillueshme të qethen kafshët shtëpiake. Është një mit i gabuar që qentë qethen këtë periudhë. Përkundrazi, qimja e mbron qenin në këtë periudhë, e mbron nga rrezet e diellit, e mbron nga vapa dhe nga nxehtësia. Jo si ne qe lëshojmë djersë dhe e kemi vetë lëkurën, qentë dhe macet kanë zona specifike si pjesa e hundës, nuk kanë vapë nga trupi. Pra, ai mantel e mbron dhe kushdo që dëshiron ta qethi, pasi pjesa më e madhe nuk durojnë dhe qimet, ta qethi jo shkurt, njish, po sa më larg qimes”, tha ajo.

Më tej, Mebelli theksoi se kafshët nuk duhen nxjerr në diell pasi mund të sëmuren.

“Një ndër sëmundjet që preken dhe më shumë kafshët tani, është dhe ‘pika e diellit’ siç i themi ne, për të vetmen arsye se dielli godet qendrat e trurit dhe bën që kjo kafshë të kalojë në gjendje kome. Ka pasur plot raste që kjo kafshë ka ardhur në spital për këtë shkak, por pronarët nuk e kanë vënë re. Ne këshillojmë që të gjitha xhirot të bëhen nga ora 7 deri në orën 9 dhe mbasdite në darkë vonë”, u shpreh veterinerja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!