“Qëndroni larg Rusisë”, sulmohet gruaja e bashkëpunëtorit të Navalny

schedule16:25 - 4 Shtator, 2023

schedule 16:25 - 4 Shtator, 2023

Një burrë i panjohur sulmoi në Buenos Aires gruan e ekonomistit rus Maxim Mironov, i cili ishte një nga autorët e programit ekonomik të politikanit opozitar rus Alexei Navalny për zgjedhjet presidenciale të 2018-ës.

Burri i panjohur i është afruar gruas nga teksa ajo po shëtiste me djalin e tyre 10 muajsh, e goditi në fytyrë dhe i tha në anglisht: “Rri larg Rusisë”. Çifti ka denoncuar ngjarjen në polici.

Sipas Mironov, gruaja e tij nuk është lënduar rëndë. “Sulmuesi nuk e goditi fort. Synimi i tij nuk ishte të shkaktonte ndonjë traumë, por të tregonte se ata po shikojnë familjen time dhe kur të duan mund të bëjnë çfarë të duan”, tha ekonomisti rus. Mironov ia atribuoi incidentin të folurit publikisht për mënyrat që autoritetet ruse po përdorin për të anashkaluar sanksionet perëndimore.

Një ditë më parë, tha Mironov, një i panjohur e telefonoi atë dhe i tha të njëjtën frazë: “Qëndroni larg Rusisë dhe politikës ruse”.

Maxim Mironov është i diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Novosibirsk. Në vitin 2003 kreu studimet master në Shkollën e Lartë Ekonomike, ndërsa në vitin 2008 përfundoi doktoraturën në Graduate School of Business të Universitetit të Çikagos. Aktualisht është profesor i ekonomisë në IE Business School. Ai ka edhe disa blogje në rrjetet sociale, përmes të cilave shpreh mbështetjen e tij për opozitën ruse.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!