Qëlloi shokun për vdekje, bie pretendimi i autorit: Arma është e tij

schedule15:42 - 12 Maj, 2021

schedule 15:42 - 12 Maj, 2021

Nga Xhensila Kodra

Pavarësisht deklarimeve që Marius Dema i tha hetuesve se pistoleta me të cilën qëlloi aksidentalisht për vdekje shokun e tij Mehmet Qemën nuk ishte e tij, veprimet e kryera nga policia faktojnë të kundërtën.

Burime zyrtare pranë grupit hetimor thanë për ABC se arma e përdorur në ngjarje ishte e 28-vjeçarit Dema dhe se prej gati një viti e mbante pa leje.

Kjo gjë është faktuar edhe nga dëshmia e personave të tjerë të arrestuar me akuzën e moskallëzimit të krimit e që ishin dëshmitarë okularë në tavolinën ku 6 shokët qëndronin të ulur.

Pasi u vetëdorëzuan në polici një ditë pas vrasjes, ata deklaruan se ngjarja ndodhi nga pakujdesia dhe pistoleta ishte e Demës. Ndërsa njëri prej të arrestuarve, Xhuljano Koçi ,19 vjeç i tha policisë se pistoletën ia mori nga duart Demës dhe e fshehu me argumentin se 28-vjeçari tentoi të kryente vetëvrasje, por arma ishte pa karikator.

Mesditën e së martës, në vendngjarje mbërritën edhe efektivë të krimit ekonomiko financiarë. Në katin e dytë të godinës, policia gjeti dhe sekuestroi dy makineri që prodhojnë monedhën virtuale Bitcoin. Për shkak se dyert e kësaj godine ishin të mbyllura, uniformat blu u futën nga dritarja për të parë serverin e kamerave të sigurisë që do të hidhnin dritë mbi vrasjen e Qemës. Por më pas u zbulua edhe laboratori që merret me prodhimin e kriptomonedhave, si dhe disa kompjutera. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!