Qëlloi për vdekje djalin, gjykata merr vendimin për babain e Albert Krasniqit

schedule11:30 - 29 Janar, 2021

schedule 11:30 - 29 Janar, 2021

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të lërë në paraburgim për 30 ditë, Skënder Krasniqin, i cili mbrëmjen e 27 janarit qëlloi për vdekje me armë zjarri djalin e tij, Albert Krasniqi në Prishtinë. Trupa gjykuese ka pranuar kërkesën e prokurorisë për të pandehurin, i cili akuzohet për veprën e rëndë penale të vrasjes.

Ngjarja ndodhi në parkingun e ndërtesës ku ata banonin. Në rrethana ende të paqarta Skënder Krasniqi ka qëlluar ndaj djalit të tij, i cili si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit ndërroi jetë menjëherë.

Mediat në Kosovë raportuan se atë e bir janë përplasur për shkak të konflikteve familjare, pasi Alberti ishte në kërkim nga policia për shkak të dhunës që kishte ushtruar ndaj ish-bashkëshortes së tij, Besa Gashi.

Ndërkaq, xhaxhai i viktimës në një prononcim për mediat në Prishtinë dha një version tjetër të historisë. Sipas tij, Skënderi e ka qëlluar aksidentalisht djalin.

Albert Krasniqi dhe babai i tij njihen si biznesmenë të suksesshëm në Kosovë. Madje Alberti ishte edhe personazh i njohur i showbizz-it shqiptar për shkak të lidhjeve të tij me figurat publike.

Njoftimi i plotë:

Prishtinë, 29 janar 2021 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.K. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit S.K. gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, pasi që e njëjta ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri S.K. mund ti asgjësojë, fsheh, ndryshoj apo falsifikoj provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarët, të cilët janë familjarë të të pandehurit,po ashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, tregon rrezik se nëse i pandehuri do të gjendet në liri ekziston rreziku se do të pengohet rrjedha e procedurës penale.

I pandehuri S.K. dyshohet se me datë 27.01.2021 rreth orës17.00, në parkingun e ndërtesës ku edhe ka banuar, nga motive ende të panjohura deri më tani ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin A.K. dhe si pasojë e plagëve të marra i ndjeri A.K ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!