Avokati Romeo Kara thotë se ish kryeministri Sali Berisha kërkon të zvarrisë gjyqin, lidhur me dosjen “Partizani”.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Kara u shpreh se procesi do të zgjasë dhe se Berisha kërkon kohë.
Kara shtoi se Berisha kërkon t’i caktojë vetë gjyqtarët dhe të jetë sundimtar mbi ligjin.
“Së pari, motivi përjashtues për mua, është i paparashikuar në kodin e procedurës penale dhe nuk do të pranohet. Së dyti, strategjia e tij do të përfshijë zvarritjen pa fund të procesit. Për një njeri që nuk ka probleme në gjykimin në themel, mund ta përshpejtonte. Berisha kërkon kohë, çdo njeri kur është përpara një dënimi, qoftë edhe moral, kërkon kohë. Po kërkon kohë, t’i ndodhin mrekullira, për trazira. Duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Nuk e ka me gjyqtarët personalisht, e ka me procesin. Do ta kthejë në farsë politike, do që ta bëjë gjyqin e paligjshëm. Nuk është mësuar, që Berisha është person që mund t’i përgjigjet ligjit. E mendon veten sundimtar ndaj ligjit. Këta gjykatës na kanë gjykuar dhe po na gjykojnë. Berisha do gjykatës që ta vendosë ai. Ne duhet të zbatojmë ligjin. Deri tani ia ka dalë me pazaret e tij.”, theksoi ai./abcnews.al

