I riu shqiptar që mbeti i vrarë në përplasjen mes dy bandave shqiptare të hënën mbrëma në Mykonos qëndronte ilegalisht në Greqi. Mediat greke raportojnë se 27-vjeçari është goditur me thikë në zemër dhe se kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes kishte ndërruar jetë.
Shqiptari thuhet se ndodhej në ishull ilegalisht që në shkurt, dhe mbeti vrarë pas një përplasjeje mes dy bandave shqiptare pak pas mesnate, në orët e para të së martës. Ishin banorët e zonës së Agios Fanourios që morën në telefon policinë pasi dëgjuan zëra dhe zhurma. Policia ka krehur zonën si dhe ka marrë materiale filmike nga kamerat e sigurisë në zonë.
Lexo edhe: Përplasja mes bandave shqiptare, i riu që u vra në Mykonos punonte në ndërtim
Gjithashtu, nga vendi i ngjarjes është marrë edhe material gjenetik për të zbuluar se cili nga anëtarët e bandës rivale qëlloi me thikë në zemër të riun. Grupet, sipas raportimeve përbëheshin nga 10-12 anëtarë secili.
Për ngjarjen janë vënë në pranga tre persona në ishull dhe një shqiptar tjetër është arrestuar në Portin e Rafines pasi kishte zbritur nga një anije. Motivi i përplasjes së dhunshme mes dy grupeve nuk dihet ende. s.b/abcnews.al/