Që nga pesha e kupës, deri te “luga” që u fut në histori: Historitë e veçanta të Europianit

schedule12:16 - 5 Qershor, 2021

schedule 12:16 - 5 Qershor, 2021

Nga Dorina Kurtaj

Numërimi mbrapsht po përfundon për Europianin. Historia e kësaj gare ka dhuruar shumë momente të paharrueshme, anekdota dhe fakte shumë të çuditshme. Që nga pamjet bardhë e zi deri tek ato të ditëve të sotme.

 

1-Të sigurt që është 2020? Koronavirusi zhvendosi me një vit garën. Për herë të parë do të luhet në një vit tek por nuk thuhet Euro 2021…u vendos të lihet emërimi i vjetër dhe pse një vit prapa

 

2-Podiumi i zhdukur – në edicionin e parë të kampionatit europian, podiumi final përbëhej nga Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia dhe Çekosllovakia. Tre shtete që sot nuk ekzistojnë më.

 

3-Ndeshja me më shumë gola – rekordi i golave të shënuar në një ndeshje të vetme europiani është ai i 6 korrikut 1960. Franca dhe Jugosllavia, në gjysmëfinalen në “Parkun e Princave”, përfunduan në një rezultat 5 me 4, me fitoren e Jugosllavisë. Që atëherë asnjë ndeshje tjetër në këtë kampionat nuk ka regjistruar 9 gola.

 

4-Kupa e rëndë – Zyrtarisht trofeu për fituesit e Europianit të futbollit, quhet “Kupa e Henri Delaunej” dhe i dedikohet sekretarit të UEFA-s që pati idenë e kampionatit europian, por ndërroi jetë pak para edicionit të parë të tij. Aktualisht kupa është prej argjendi të pastër dhe peshon 12 kilogramë.

 

5-Monedha e shortit – E vetmja ndeshje në historinë e Europianit që u vendos nga hedhja e monedhës, ia dha fitoren Italisë. Ishte 5 qershori 1968 dhe gjysëmfinalja kundër Bashkimit Sovjetik, përfundoi 0-0 pas kohës shtesë. Kualifikimi u vendos pikërisht me hedhjen e monedhës. Në përpjekjën e parë monedha ngeci, ndërsa herën e dytë vendosi fitoren e Italisë.

 

6-Finale për t’u riluajtur – Italia fituese në 1968-ën, pati nevojë për përsëritjen e finales. Finalja e parë më Jugosllavinë përfundoi 1 – 1 pas kohës shtesë. Nuk kishte as penallti dhe as hedhje monedhe. Rregullorja ishte e qartë: finalja duhej përsëritur. Dy ditë më pas të kaltrit triumfuan 2 me 0 në atë që mbetet finalja e vetme e përsëritur.

 

7-Luga e parë – Të shumtë janë ata që njohin atë që e shpiku por jo të gjithë e dinë se penalltia e parë “lugë” u ekzekutua në një Europian. Ishte viti 1976 dhe në 20 qershor është finalja mes Gjermanisë lindore dhe Çekosllovakisë, e cila përfundon me penallti. Hënes gabon dhe Panenka ka në këmbë topin e titullit. Sep Majer kapet në befasi me penalltinë e parë “lugë” që rezultoi në gol.

 

8-Finalja që shënoi nisjen e europianit të ardhshëm- gara e fundit e europianit të 1976-ës ishte Gjermania lindore kundër Çekosllovakisë. Çuditërisht do të ishte dhe përballja e parë në europianin e ardhshëm atë të vitit 1980. Herën e parë triumfoi Çekosllovakia, hera e dytë u vendos nga një gol i Rumenige. Ky mbetet i vetmi rast i finales dhe rihapjes, në historinë e europianit.

 

9-Finalja që hapi europianin – një tjetër kuriozitet i veçantë: në vitin 2004 triumfoi në mënyrë të befasishme Greqia. Portugalia luajti në shtëpinë e saj dhe Kristiano Ronaldo me shokët e skuadrës kishin një ëndërr që u zhduk në finale. Greqi – Portugali në euro 2004 ishte ndeshja e fundit dhe e parë e garës. Përballja inauguruese ishte në 12 qershor dhe grekët fituan dhe në atë rast me rezultatin 2 me 1.

 

10-Rekordi anglez në pritje të Uembleit – euro 2020 do të jetë pak i të gjithëve por finalja do të luhet në Uemblej dhe anglezët shpresojnë….Anglia ka një rekord të çuditshëm: është kombëtarja që ka luajtur më shumë ndeshje në kampionatet europiane – 31, por nuk ka arritur asnjëherë në finale.

 

11-Përralla daneze – një nga historitë më të pabesueshme: përjashtimi i Jugosllavisë nga europiani 1992, ripeshkoi Danimarkën, e cila e fitoi kampionatin në fund. Lojtarëve iu dha liri e plotë: të shkonin të hanin në fast-food, të organizonin turne minigolfi dhe merrnin partneret në hotel dhe një natë para finales. Ndoshta ka qenë ky sekreti i atij suksesi të papritur?

 

12-Fitorja e trishtueshme e Kim Vilfort – mes heronjve danezë të vitit 1992 është dhe Kim Vilfort. Për ‘të ajo eksperiencë ishte një larmi emocionesh. Ai iu bashkua kombëtares pavarësisht se vajza e tij e vogël ishte e sëmurë me leucemi. Pas çdo ndeshjeje ai shkonte ta takonte. Ishte i tiji goli vendimtar i rezultatit 2 me 0 në finale. Lin e vogël ndërroi jetë pak javë më pas atij triumfi të pabesueshëm.

 

13-Dy gola në një minutë – vetëm dy lojtarë në historinë e Europianit kanë arritur të shënojnë dy gola brenda 60 sekondave. I pari ishte Jerkovic në vitin 1960, ndërsa i dyti ishte Henrik Larsson në 14 qershor 2004: kundër Bullgarisë duke shënuar në minutën e ’57 dhe ‘58.

 

14-Oliver, golashënuesi i golit të artë – fitorja gjermane e vitit 1996 sjell një kujtim historik. Nëse ëshët e vërtetë që golin e parë të artë (golden gol) e ka shënuar Pierluixhi Orlandini në vitin 1994 në botëror; në europian ky gol u shënua nga Bierhof në finalen kundër republikës Çeke. Një gol që i dha skuadrës dhe titullin e kampiones së Europës.

 

15-Biskota nordike – duke u dashur të zgjidhet një dhe vetëm një ndeshje për të përshkruar konceptin e “biskotës” në futboll, i gjithë populli italian do të tregonte pa hezitim afidën mes Suedisë dhe Danimarkës në Euro 2004. Të dy skuadrave iu duhej një rezultat 2-2 për të eliminuar Italinë dhe për t’u kualifikuar të dyja për në fazën tjetër. Dhe ndeshja doli pikërisht 2 me 2 në 22 qershor 2004.

 

16-Hera e parë pa Kristiano Ronaldo – triumfi i parë në histori i kombëtares portugeze ishte pikërisht në një europian. Në 10 korrik të 2016-ës kombëtarja e Fernando Santos fitoi kundër Francës – padrones së shtëpisë. Ëndrra e një kombi u realizua por jo falë njeriut simbol. Kristiano Ronaldo u largua nga fusha në lot në minutën e 25 të pjesës së parë.

 

17-Goli më i shpejtë –Rekordi mbahet nga Dimitri Kirishenko. Në ndeshjen Rusi – Greqi të 2004-ës ai shënoi në sekondën e 67. Ky është dhe goli më i shpejtë në Europian. Në vend të dytë është Levandoski që në ndeshjen mes Polonisë dhe Portugalisë shënoi në sekondën e 100-të.

 

18-I vetmi në histori…për momentin – Të fitosh europianin si lojtar dhe si trajner. Ka ndodhur ndonjëherë? Sigurisht! Sa herë? Vetëm një: rekordi i vetëm është ai i Berti Vogts që fitoi si lojtar në vitin 1972, dhe si trajner i kombëtares së tij gjermane në vitin 1996.

 

19-Dy ia dolën, Trapatoni jo! – Në 18 qershor 2012 Italia u përball me Irlandën që kishte trajner Xhovani Trapatoni. Ky i fundit kishte mundësinë të fitonte ndaj kombit të tij. A kishte ndodhur më parë? Po, i ndodhi Xheki Çarlton me Irlandën në 1988-ën dhe Gus Hidink në 2008-ën me Rusinë. Ndërsa Trapatoni në atë rast humbi 2-0. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!