“Qatargate”, BE nis procesin për t’u hequr imunitetin dy eurodeputetëve të përfshirë në skandal

schedule07:29 - 3 Janar, 2023

schedule 07:29 - 3 Janar, 2023

Bashkimi Evropian thotë se do të nisë procedurat për heqjen e imunitetit parlamentar të dy eurodeputetëve të implikuar në skandalin e korrupsionit me Katarin. Presidentja e parlamentit Roberta Metsola tha se ajo kishte marrë këtë veprim pas një kërkese nga policia belge.

Megjithatë, ajo nuk specifikoi emra në deklaratën e saj. Sipas dy personave njohës të çështjes, të cilët nuk u lejuan të flisnin publikisht për shkak se hetimi është në vazhdim, ata janë italiani Andrea Cozzolino dhe belgu Marc Tarabella. Skandali shpërtheu muajin e kaluar pasi Eva Kaili dhe tre të tjerë u arrestuan me akuza për korrupsion dhe pastrim parash.

Ndërsa autoritetet nuk e kanë përmendur vendin që qëndron pas rrjetit të ryshfetit, burime të shumta kanë përmendur Katarin. Por shteti i Gjirit ka mohuar me forcë çdo akuzë. Metsola tha se tani do të nisë një “procedurë urgjente” për të hequr imunitetin parlamentar nga dy eurodeputetët pas kërkesës së policisë.

Një burim i BE-së i tha BBC-së se oficerët kishin kontaktuar me zyrën e saj më 30 dhjetor. Kërkesa tani duhet të dorëzohet përpara të gjithë parlamentit të BE-së më 16 janar, përpara se të kalojë në komitetin e çështjeve ligjore të organit. Më pas do të përgatitet një raport mbi akuzat, përpara votimit në dhomën e plotë për heqjen e imunitetit të eurodeputetëve.

Metsola tha se donte që i gjithë procesi të përfundonte deri më 13 shkurt. Të gjithë eurodeputetët kanë një imunitet të kufizuar që do të thotë se ata mund të kryejnë detyrat e tyre, të shprehin mendimet e tyre dhe të votojnë lirshëm pa jetuar në frikën e arrestimit. Por dhoma mund të votojë për t’i hequr atyre atë imunitet pas procedurave konfidenciale.

Procesi i lejon eurodeputetët e akuzuar të paraqesin prova dhe të mbrojnë veten. Zëdhënësja e Parlamentit Evropian Yasmina Yakimova tha javën e kaluar se qëllimi i imunitetit ishte të sigurojë “që parlamenti mund të funksionojë”, por theksoi se “nuk ishte diçka që i lejon ata të shkelin ligjin më lehtë”. /abcnews.al