Qasja e Serbise, Thaçi telefonatë me Mogherinin

schedule23:34 - 1 Shkurt, 2019

schedule 23:34 - 1 Shkurt, 2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar pasditen e së premtes një bisedë telefonike me shefen e Politikës së Jashtme të BE, Federika Mogerini, të cilës i ka shprehur shqetësimin për qasjen destruktive të Serbisë. “Shpreha shqetësimin tonë për kushtëzimet e paarsyeshme të Serbisë, të cilat pamundësojnë vazhdimin e dialogut”, ka bërë me dije Thaçi në profilin e tij në Fejsbuk. Kreu i shtetit ka nënvizuar se përkundër mirëkuptimit të shprehur nga zonja Mogerini, mesazhi i saj ishte i qartë. “Dialogu duhet të vazhdojë dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme që pengojnë vazhdimin e tij”, ka cituar Thaçi përfaqësuesen e lartë të BE-së. Në këto rrethana, ka vijuar ai, Prishtina duhet ta heqë menjëherë pretekstin që po përdor Serbia për bllokimin e dialogut, që është taksa për produktet serbe. Për presidentin e Kosovës, ky veprim do të demonstronte përkushtimin për një marrëveshje paqësore me Serbinë dhe njëkohësisht do të forconte aleancën e Kosovës me BE-në, NATO-n dhe në mënyrë të veçantë me Amerikën. /abcnews.al