Qafë Thanë/ Tentoi të fuste në Shqipëri naftë kontrabandë, arrestohet 49-vjeçari

schedule11:15 - 22 Gusht, 2024

schedule 11:15 - 22 Gusht, 2024

Një 49-vjeçar është arrestuar nga policia në pikën kufitare në Qafë Thanë, pasi tentoi të fuste në Shqipëri naftë kontrabandë.

“Në vijim të punës së intensifikuar të shërbimeve të Policisë Kufitare, gjatë sezonit veror, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufij, në PKK Qafë Thanë, në hyrje të RSh-së, u kalua në vijë të dytë, për kontrolle të detajuara, kamioni me drejtues 49-vjeçarin. Në këtë mjet, u gjetën bidonë plastikë të mbushur me 500 litra naftë të pashoqëruar me faturë blerjeje. Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit 49 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”. Gjithashtu u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bidonët me naftë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sakaq materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!