Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka dhënë sot një deklaratë për mediat ku është përballur me pyetjet e gazetarëve të pranishëm në sallë.
Por duket se nuk e ka pritur mirë pyetjen e njërit prej tyre në lidhje me abuzimin seksual të të miturës në Babrru nga roja i shkollës.
Gazetarja e pyeti ministren pse nuk u veprua kur kishte informacion nga drejtori i shkollës për abuzimet nga Abaz Doka.
Shahini e ka cilësuar joprofesionale pyetjen dhe i ka fikur mikrofonin gazetares duke refuzuar të përgjigjet.
Gazetarja: Një pyetje për ministrinë, ju thoni se ndiheni krenare kur bëhet denoncimi për këtë çështje, por nga ana tjetër, ju kishit informacion për këtë çështje. Pse nuk vepruat?
Besa Shahini: Kjo nuk është pyetje, kjo nuk është profesionale.
Gazetarja: Kjo nuk është ajo që them unë.
Besa Shahini: Është nga ana juaj si gazetare, dashakeqëse.
Gazetarja: S’është nga ana ime, është nga ana e drejtorit të shkollës.
Besa Shahini: Është joprofesionale të bëni pyetje tendencioze.
Gazetarja: Nuk mund të më akuzoni për joprofesionalizëm.
Besa Shahini: Mos flisni për rastet se dëmtoni viktimat. Por çdo indikacioni që është denoncuar nga drejtori janë marrë masat e pezullimit dhe shkarkimit. Po ju vë në kontekst, si gazetar që mbuloni arsimin. Rojet e shkollës janë punësim i bashkisë./abcnews.al