Putini ndalon ‘ndryshimin e gjinisë’ dhe themelon një institut për studimin psikiatrik të personave LGBTI

schedule16:31 - 16 Qershor, 2023

schedule 16:31 - 16 Qershor, 2023

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar krijimin e një instituti psikiatrik që synon të studiojë sjelljen e anëtarëve të komunitetit LGBTI.

Këtë njoftim e ka bërë ministri i Shëndetësisë, Michael Muraska, gjatë një mbledhjeje të Dumës Shtetërore, në të cilën po diskutohej projektligji për ndalimin e “ndryshimit të gjinisë” në Rusi. Më pas, Duma e Shtetit votoi projektligjin në lexim të parë.

“Dua të theksoj se për momentin ka një urdhër të presidentit për të krijuar në bazë të qendrës federale psikiatrike një institut shtesë që do të studiojë një sërë drejtimesh sjelljesh, si ato të perceptimit të komunitetit LGBTI”, tha Mouraska.

Faqja e internetit Meduza, duke cituar përfaqësues të komunitetit LGBTI, thekson se “deklaratat e Muraskës mund të konfirmojnë se në Rusi ata duan të prezantojnë një terapi të dhunshme konvertimi – e cila është një kompleks praktikash pseudoshkencore, të dhunshme psikologjike dhe fizike, me ndihmën e të cilëve orientimi seksual supozohet se mund të kurohet. OKB-ja i barazon këto metoda me torturën”.

Projektligji i paraqitur në Dumën e Shtetit për ndalimin e “ndryshimit të gjinisë” përjashton plotësisht mundësinë e tranzicionit transgjinor me ndihmën e operacioneve kirurgjikale. Operacione të tilla, nëse projektligji miratohet, do të lejohen vetëm për “trajtimin e anomalive gjenetike fiziologjike të formimit të seksit tek fëmijët” dhe për këtë do të kërkohet një vendim përkatës i një komisioni mjekësor të institucionit shëndetësor shtetëror.

Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe një numër mjekësh e kritikojnë ashpër projektligjin në fjalë, pasi ata besojnë se do të çojë në një rritje të çrregullimeve psikiatrike dhe vetëvrasjeve, si dhe në shfaqjen e një tregu të zi për operacionet ilegale.

Më 14 qershor, Duma e Shtetit miratoi projektligjin që ndalon transgjinorët të ndryshojnë dokumentet e tyre të identifikimit dhe “procedurat mjekësore”. Projektligji i ndalon mjekët të kryejnë operacione të tilla, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me trajtimin e “anomalive gjenetike fiziologjike”.

Sipas listës vjetore të organizatës evropiane të të drejtave të njeriut ILGA-Evropë, në vitin 2022 Rusia zuri një nga vendet e fundit në listën e vendeve për sa i përket nivelit të mbrojtjes politike dhe ligjore të të drejtave të njerëzve të komunitetit LGBTI. Vetëm Turqia dhe Azerbajxhani janë poshtë Rusisë.

Në dhjetor 2022, Vladimir Putin nënshkroi një ligj që ndalon “propagandën e marrëdhënieve seksuale jotradicionale, pedofilinë dhe ndryshimin e gjinisë”. Që nga viti 2013, Rusia ka ndaluar “propagandën” e LGBTI midis të miturve, dhe tani është e ndaluar për të gjithë rusët. Në fakt ligji ndalon diskutimin e homoseksualitetit dhe personave transgjinorë në çdo kontekst që nuk është negativ.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!