Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar të premten se trupat ruse po avancojnë në të gjithë frontin e luftës në Ukrainë dhe ka shprehur bindjen se objektivat ushtarake të Moskës do të arrihen, gati katër vjet pasi ai urdhëroi nisjen e luftës kundër vendit fqinj.
Gjatë konferencës së tij vjetore për shtyp, Putini tha ka theksuar se forcat ruse kanë marrë plotësisht iniciativën strategjike dhe se do të arrijnë përparime të tjera deri në fund të vitit.
Në fillim të luftës në vitin 2022, ushtria ukrainase arriti të ndalojë përpjekjen e Rusisë, e cila ka një ushtri më të madhe dhe më të pajisur, për të pushtuar kryeqytetin Kiev. Më pas, luftimet u kthyen në beteja të gjata dhe të lodhshme. Gjatë këtyre viteve, trupat ruse kanë bërë përparime të ngadalta, por të vazhdueshme. Putini e përmend shpesh këtë përparim, edhe pse nuk është një avancim i shpejtë, siç pritej në fillim, raporton AP.
“Trupat tona po avancojnë në të gjithë vijën e frontit. Në disa zona më shpejt, në të tjera më ngadalë, por armiku po tërhiqet në të gjitha drejtimet”, tha Putin gjatë konferencës vjetore, e cila përfshin edhe pyetje nga qytetarë të ndryshëm të Rusisë.
Putin, i cili ka qenë në pushtet për 25 vjet, e përdor këtë ngjarje për të forcuar autoritetin e tij dhe për të shprehur qëndrimet mbi çështjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare.
Këtë vit, vëmendja është përqendruar te deklaratat e tij për Ukrainën dhe te plani i paqes i propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Përpjekjet diplomatike të SHBA-së kanë hasur vështirësi për shkak të kërkesave të kundërta të Moskës dhe Kievit.
Putin përsëriti se Rusia është e gatshme për një zgjidhje paqësore, por vetëm nëse trajtohen “shkaqet kryesore” të konfliktit, duke iu referuar kushteve të ashpra që vendos Kremlini për paqen.
Më herët gjatë kësaj jave, Putin paralajmëroi se Rusia do të përpiqet të zgjerojë territorin e saj në Ukrainë nëse Kievi dhe aleatët perëndimorë nuk pranojnë kërkesat e Moskës.
Presidenti rus kërkon që të njihen si territore ruse të gjitha zonat e pushtuara në katër rajone të Ukrainës, si dhe Gadishulli i Krimesë, i cili u aneksua nga Rusia në vitin 2014. Ai gjithashtu kërkon që Ukraina të tërhiqet nga disa zona lindore që ende nuk janë pushtuar nga ushtria ruse, kërkesa që Kievi i ka refuzuar.
Putin ka deklaruar vazhdimisht se Ukraina duhet të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj dhe t’i japë status zyrtar gjuhës ruse, kërkesa që ai i ka bërë që nga fillimi i konfliktit.

