Presidenti rus Vladimir Putin u ka propozuar luftëtarëve të Grupit Wagner që një mercenar i rangut të lartë, i quajtur Andrey Troshev, të marrë komandën e milicisë private, duke zëvendësuar rebelin Yevgeny Prigozhin.
Sipas komenteve që Putin bëri për gazetën Kommersant, rezulton se lideri i Kremlinit ka krijuar një ndarje në hierarkinë e mercenarëve të Wagner. Putin duket se po çimenton përpjekjet për të limituar pushtetin e shefit të tyre Yevgeny Prigozhin, që nga kryengritja e dështuar kundër Moskës që ky i fundit inicioi muajin e kaluar.
Presidenti rus duke folur me anëtarët e Wagner-it u dha atyre mundësinë për të vazhduar luftën, por jo në emër të Prigozhin. Më konkretisht, ai u ka sugjeruar për një nga komandantët e organizatës paraushtarake, Andrei Troshev, i cili njihet me emrin “Sendoi”.
Kush është “Sendoi”?
Ai është një kolonel rus në pension dhe anëtar themelues i Grupit Wagner. Në fakt, sipas dokumenteve të sanksioneve të publikuara nga E.E. dhe Franca është drejtor ekzekutiv i organizatës. Këto janë dokumente që i referohen sanksioneve të Bashkimit Evropian në lidhje me situatën në Siri dhe përshkruajnë me çdo detaj pozicionin e Trossev si shefi i shtabit të operacioneve të Grupit Wagner në Siri. Ai ka kindur në Prill 1953 në Leningrad, ish-Bashkimi Sovjetik.
Veprimi i tij në Siri
“Andrei Troshev është i përfshirë drejtpërdrejt në operacionet ushtarake të grupit Wagner në Siri. Ai ishte veçanërisht i përfshirë në rajonin Deir ez-Zor”, sipas dokumenteve të sanksioneve. “Si i tillë, ai jep një kontribut kritik në përpjekjet luftarake të Bashar al-Assad dhe për këtë arsye mbështet dhe përfiton nga regjimi sirian,” shtoi ai.
Ndërkohë, sanksionet e vendosura nga Britania e Madhe nga qershori 2022 thonë se “Andrei Nikolaevich Troshev ishte drejtor menaxhues i Grupit Wagner. Si i tillë, ai ka mbështetur regjimin sirian, ka qenë anëtar i një milicie dhe ka shtypur popullsinë civile në Siri”.
Sipas sanksioneve të BE-së mes partnerëve të tij është bashkëthemeluesi i Wagner Dmitry Utkin. Ai është një ish-oficer i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse GRU. Përveç kësaj, “Sendoi” është i lidhur me komandantët e grupit Wagner, Alexander Sergeevich Kuznetsov dhe Andrei Bogatov.
Gjithashtu, siç thekson agjencia ruse e lajmeve online Fontanka, Troshev është ende një ish-anëtar i detashmentit special të reagimit të shpejtë të Qarkut Federal Veriperëndimor të Ministrisë së Punëve të Brendshme Ruse. Ai është gjithashtu një veteran i luftërave në Çeçeni dhe Afganistan.
Sipas mediave ruse, për shërbimin e tij në Afganistan, atij iu dha dy urdhra të Yllit të Kuq – një çmim i Bashkimit Sovjetik për shërbime të jashtëzakonshme. Për shërbimin e tij në operacionin në Çeçeni, ai u nderua me dy medalje trimërie dhe një medalje të Urdhrit të Meritës për Atdheun, të klasit të dytë.
Troshev ishte ndër të ftuarit në një pritje të Kremlinit në dhjetor 2016. Një foto, që besohet të jetë nga ajo pritje e vitit 2016, u shfaq në mediat ruse në vitin 2017, duke treguar Vladimir Putinin duke qëndruar pranë Troshev dhe Utkin, të cilët të dy mbajnë medalje të ndryshme. Vihet re se Ukraina vendosi sanksione kundër Troshev më 26 shkurt 2023.
Nuk dihet se çfarë ndodhi me Prigozhin
Ndërkohë fati i themeluesit të Wagner mbetet i panjohur. Ai thuhet se udhëtoi për në Bjellorusi si pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Alexander Lukashenko pas grushtit të dështuar, por presidenti bjellorus i tha CNN javën e kaluar se lideri Wagner është tani në Rusi.
Pamjet që supozohet se tregojnë një bastisje të policisë në kompleksin e Prigozhin në Shën Petersburg kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje për fatin e tij. Prigozhin nuk është parë në publik që nga 2 qershori, raporton CNN.