Presidenti rus, Vladimir Putin ka mbërritur sot në Baku të Azerbajxhanit për një vizitë zyrtare dyditore, gjatë së cilës do të takohet me homologun e tij azerbajxhanas, Ilham Aliyev, njoftoi Kremlini.
Vizita në këtë vend, i cili është një partner i ngushtë i Moskës, por në të njëjtën kohë një furnizues i rëndësishëm energjie për vendet e Perëndimit, zhvillohet ndërkohë që vazhdon sulmi i paprecedentë i forcave ukrainase në territorin rus, në rajonin e Kurskut.
Presidenti rus do të diskutojë nesër me Aliyev “çështjet që lidhen me zhvillimin e bashkëpunimit strategjik dhe marrëdhëniet e aleancës midis Rusisë dhe Azerbajxhanit, si dhe problemet ndërkombëtare dhe rajonale”, tha Kremlini.
Putin e vizitoi Azerbajxhanin për herë të fundit në vitin 2018.
Azerbajxhani , i cili do të presë samitin e ardhshëm të klimës (COP29) në nëntor, është një prodhues i madh i gazit natyror dhe i është drejtuar nga Bashkimi Evropian për të mbuluar mungesat pasi dërgesat ruse ranë pas fillimit të luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Kundër Putinit është lëshuar një urdhër-arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare që nga marsi i vitit 2023, për “zhvendosjen” e fëmijëve nga Ukraina në Rusi, gjë që ndërlikon lëvizjet e tij jashtë vendit. Moska i kundërshton kategorikisht akuzat./abcnews.al