Putin: Të respektohen ligjet ndërkombëtare

schedule13:55 / 10/04/2019

Bombardimet ajrore të NATO-s në ish Jugosllavi në vitin 1999, ndodhën si pasojë e mosrespektimit të ligjeve ndërkombëtare. Është kjo deklarata e presidentit rus Putin, i cili ndër të tjera shtoi se sanksionet perëndimore ndaj vendit të tij më shumë kanë dëmtuar Bashkimin Europian sesa Rusinë.

Presidenti rus Vladimir Putin i bëri kërkoi që të respektohen ligjet ndërkombëtare në mënyrë që të shmanget një situatë e ngjashme me atë të bombardimeve në ish Jugosllavi. Putin i cili foli gjatë seancës plenare të Forumit ndërkombëtar të Artikut në Shën Petërsburg, iu referua bombardimit ajror të NATO-s në vitin 1999.

Duke iu përgjigjur presidentit të Finlandës – i cili u shpreh se Rusia duhet të fajësojë veten për sanksionet që I janë vendosur nga perëndimi, Putin tha se në mënyrë që sanksionet të konsiderohen të ligjshme, fillimisht ato duhet të miratohen nga Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, gjë e cila nuk ka ndodhur. Dhe për këtë arsye sipas liderit të Kremlinit, sanksionet ndaj Rusisë nuk janë të ligjshme.

Sipas Putin, i cili citohet nga agjencia ruse e lajmeve Tass, bota është e ndërvarur dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të bashkëpunohet për të fituar rezultate të përbashkëta.

Presidenti rus theksoi se sanksionet kanë pasur pasoja negative si për vendin e tij ashtu dhe për vendet e Bashkimit Europian. Por ky i fundit është dëmtuar më shumë Sipas zyrtarëve gjermanë, vendi i tyre ka humbur 56 miliard euro si pasojë e sanksioneve, ndërsa dëmet për Rusinë janë tre herë më të vogla, përfundoi Putin. /abcnews.al

schedule13:55 / 10/04/2019