Putin: Rusia do të zëvendësojë grurin e Ukrainës në Afrikë

schedule12:05 - 24 Korrik, 2023

schedule 12:05 - 24 Korrik, 2023

Presidenti rus Vladimir Putin këtë të hënë ka premtuar se Moska do të zëvendësojë grurin ukrainas me vendet afrikane, pas vendimit të Kremlinit një javë më parë për t’i dhënë fund Nismës vendimtare të Detit të Zi dhe me afrimin e samitit Rusi-Afrikë.

Vendi ynë është në gjendje të zëvendësojë grurin ukrainas, si në baza komerciale ashtu edhe pa pagesë, pasi ne presim një korrje të re rekord këtë vit,” ka thënë presidenti rus.

Ndër të tjera mediat e huaja shkruajnë se Putin ka theksuar se pavarësisht sanksioneve Rusia do të vazhdojë përpjekjet e saj aktive për të garantuar shpërndarjen e grurit, produkteve ushqimore, plehrave dhe mallrave të tjera në Afrikë.

Marrëveshja e grurit, e nënshkruar në korrik 2022 në Stamboll dhe e rinovuar dy herë, lejoi që eksportet e ushqimit të Ukrainës të rifillonin pavarësisht luftës, por Rusia e la të skadonte të hënën e kaluar.

Në një vit, pothuajse 33 milionë tonë drithë u eksportuan nga Ukraina , kryesisht misër dhe grurë, gjë që ndihmoi në stabilizimin e çmimeve të ushqimeve në shkallë globale dhe shmangi rrezikun e mungesës.

Duke refuzuar ta zgjasë atë, Moska argumentoi se Kievi po bënte dërgesa të pamjaftueshme në vendet e varfra dhe gjithashtu se Perëndimi po bllokonte eksportet e veta të produkteve bujqësore dhe plehrave.

Ndërkohë të martën e kaluar, Bashkimi Afrikan shprehu “keqardhjen” e tij për vendimin e Rusisë për t’i dhënë fund marrëveshjes.

“U bëj thirrje palëve të zgjidhin çështjet për të lejuar kalimin e vazhdueshëm të sigurt të drithërave dhe plehrave nga Ukraina dhe Rusia në zonat që kanë nevojë për to, veçanërisht në Afrikë”, tha presidenti i Komisionit të Bashkimit Afrikan, Moussa Faki Maamat në Twitter./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!