Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Putin rikthen taktikat e Sirisë në Ukrainë, Kievi kërkon sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore

schedule17:10 - 11 Tetor, 2022

schedule 17:10 - 11 Tetor, 2022

Nga Zoya Sheftalovich “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Presidenti rus Vladimir Putin iu kthye manualit të tij të përgjakshëm dhe shkatërrues të zbatuar me herët në Siri, duke goditur me një mori sulmesh me raketa objektivat civile anembanë Ukrainës ditën e hënën.



Këto sulme e kanë shtuar presionin ndaj aleatëve perëndimorë për ta furnizuar Kievin me mbrojtjen ajrore që ai ka kërkuar prej kohësh. Bombardimi i së hënës në orët e pikut në rrugët e Kievit, Lvivit, Dnipros, Zaporizhzhias dhe rajone të tjera nuk ishte një befasi, duke pasur parasysh se Putin kishte sinjalizuar tashmë gatishmërinë e tij për të kaluar në taktika gjithnjë e më brutale.

Sinjali ishte emërimi si komandant të fushatës së tij ushtarake në Ukrainë i Sergey Surovikin, gjeneralit që drejtonte forcat ruse në Siri në vitet 2017-2020. Në një fjalim të mbajtur në një takim urgjent të Këshillit të tij të Sigurisë Kombëtare po të hënën, Putin pretendoi se sulmet ishin një kundërpërgjigje ndaj sulmit të fundjavës që shkoi mbi Urën e Kerçit që lidh Krimenë e pushtuar ilegalisht me Rusinë.

Putin tha se Rusia kishte përdorur “armë me saktësitë të madhe, dhe me rreze të gjatë nga ajri, deti dhe toka” për të kryer “sulme të shumta ndaj objekteve energjitike, komandës ushtarake dhe linjave të komunikimit të Ukrainës”. Ai shtoi se Rusia do të vazhdojë të ndërmarrë akte të tilla hakmarrëse, në rast se Ukraina vazhdon të godasë territorin e ashtuquajtur “rus”.

Pretendimet e Moskës për sulme e ‘sakta’ ndaj objektivave strategjikë, fshehin faktin se qëllimi ishte qartazi vrasja e civilëve. Kjo pasi raketat goditën lagjen Shevchenkivskyi në zemër të Kievit gjatë pikut të trafikut në mëngjes.

Fotot  dhe  pamjet e siguruara nga gazetarët dhe nga kamerat e sigurisë tregojnë makina në flakë; një krater të madh pranë një këndi lojërash për fëmijë në parkun Shevchenko, teksa u shemb një urë për këmbësorët. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u shpreh përmes një video të postuar në Telegram, se Rusia duket se ka dy objektiva në sulmin e saj:objektet energjetike në të gjithë vendin, dhe ukrainasit që jetën e tyre të përditshme.

“Ata duan panik dhe kaos”- thotë Zelenskyy në një video, që duket se është xhiruar në telefonin e tij celular në rrugët e Kievit. “Armiku do që ne të kemi frikë, dëshiron t’i bëjë njerëzit të vrapojnë. Por ne mund të vrapojmë vetëm përpara, dhe po e tregojmë këtë në fushën e betejës. Dhe kështu do të vazhdojmë!”- shtoi ai.

Ai përsëriti thirrjen drejtuar Perëndimit për t’i siguruar Ukrainës mbrojtje ajrore shtesë.  Kievi e ka kërkuar prej javësh këtë mbrojtje shtesë, duke argumentuar se Rusia ka të ngjarë të përpiqet të shkatërrojë infrastrukturën energjetike dhe industriale të Ukrainës gjatë dimrit, dhe ka qenë e zhgënjyer nga reagimi i ngadaltë.

Ndërkohë Zelenskyy njoftoi në Twitter se kishte biseduar me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe homologun e tij francez Emmanuel Macron menjëherë pas sulmeve ruse në kryeqytet

dhe qytete të tjera ukrinase. “Me Macron diskutuam mbi forcimin e mbrojtjes sonë ajrore, nevojën për një reagim të ashpër evropian dhe ndërkombëtar, si dhe për shtimin e presionit  ndaj Federatës Ruse”.

Diskutime mbi bateritë e mbrojtjes ajrore ka të ngjarë të jenë qendrore edhe në Grupin e Kontaktit të Mbrojtjes të Ukrainës të udhëhequr nga SHBA – i njohur gjithashtu si formati Ramstein – ku zyrtarë të lartë të mbrojtjes nga e gjithë bota do të mblidhen në Bruksel brenda kësaj jave.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov deklaroi të hënën:“Përgjigja më e mirë ndaj terrorit raketor rus është furnizimi i Ukrainës me sisteme kundërajrore dhe antiraketore. Mbrojeni qiellin mbi Ukrainë! Kjo do të mbrojë qytetet dhe njerëzit tanë, si dhe të ardhmen e Evropës. E keqja duhet ndëshkuar!”.

Surovikin u shpall të shtunën si komandanti i ri rus për Ukrainën. Gjenerali 55-vjeçar, që përpara promovimit drejton Qarkun Ushtarak Jugor të Rusisë dhe trupat ruse në Siri, ka qenë prej kohësh një figurë famëkeqe me reputacionin e një njeriu të pamëshirshëm.

Ai ishte pjesëmarrës në shtypjen e dhunshme të trazirave anti-sovjetike të Dushanbe në Taxhikistanit në vitin 1990, dhe thuhet se u burgos (përpara se të lirohej pa asnjë akuzë) pasi ushtarët nën komandën e tij vranë 3 protestues në Moskë gjatë grushtit të dështuar kundër presidentit të atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbachev në gusht 1991.

Në vitin 1995, Surovikin u dënua me kusht (vendim që më vonë u anulua) për pjesëmarrje në tregtinë e paligjshme të armëve. Po ashtu Surovikin luajti një rol në Luftën e Dytë Çeçene, duke komanduar Divizionin e 42-të të Motorizuar të Gardës Kombëtare.

Por Surovikin është më i njohur – dhe më i frikshëm – për komandën e forcave ruse në Siri, ku Moska ndërhyri për të mbështetur regjimin e Bashar Al-Assad. Human Rights Ëatch, një organizatë joqeveritare, e bën atë përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë ofensivës së viteve 2019-2020 në provincën siriane të Idlibit, kur forcat siriane dhe ruse ndërmorën dhjetëra sulme nga ajri dhe toka ndaj objektivave dhe infrastrukturës civile,

duke goditur shtëpi, shkolla, spitale dhe tregje.

Nuk ishte hera e parë që forcat ruse akuzoheshin për krime lufte në Siri. Në bashkëpunim ushtrinë e Asadit, trupat e Kremlinit ndërmorën në vitin 2016një fushatë 1-mujore bombardimi të territorit të kontrolluar nga opozita në qytetin e Alepos, duke vrarë qindra civilë, përfshirë 90 fëmijë, gjatë sulmeve ajrore pa dallim, duke përdorur municione thërrmuese dhe armë ndezëse dhe duke goditur objektivat civile, përfshirë spitalet.

Tani që forcat ruse po tërhiqen në gati çdo zonë të frontit në Ukrainë, dhe me retorikën e Putinit që është e kundërt me situatën në terren, Surovikin duket se po i kthehet taktikës së tij të vjetër për të shkaktuar dëme sa më të mëdha mbi civilët, në një përpjekje për të ndryshuar fatin e luftës. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!