Putin qetëson gratë më 8 Mars: Nuk do të dërgoj rekrutë në Ukrainë

schedule09:47 - 8 Mars, 2022

schedule 09:47 - 8 Mars, 2022

Presidenti i Russië, Vladimir Putin, publikoi një video për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ku tha se rekrutët dhe rezervistët nuk po thirren për të luftuar në vijën e frontit në Ukrainë.

“Më lejoni të theksoj se ushtarët që kryejnë shërbimin ushtarak, nuk marrin dhe nuk do të marrin pjesë në armiqësi… Për detyrat e caktuara zgjidhen vetëm ushtarakë profesionistë”, tha ai në videon e publikuar më 8 mars.

Mesazhi i tij kishte për qëllim të zbuste shqetësimet e supozuara të grave ruse.

“Unë e kuptoj se sa shqetësoheni për të dashurit tuaj”, tha Putin, duke vlerësuar “besnikërinë dhe mbështetjen” e grave.

“Ju e bëni botën më të mirë falë ndjeshmërisë, dhembshurisë dhe bujarisë suaj shpirtërore”, tha ai.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, me urdhër të Putinit.

Putin ka dhënë urdhrin pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes. Ukraina është duke iu përgjigjur sulmit rus me ushtarë e civilë. Disa media kanë raportuar se disa rekrutë rusë janë dërguar në luftën në Ukrainë, por REL nuk i ka konfirmuar në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Ushtria ukrainase ka thënë se mijëra ushtarë rusë janë vrarë në luftime. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka folur për humbje, por nuk ka dhënë shifra specifike. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!