Sipas një analisti rus, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin po mendon që të ketë një trashëgimtar për të transferuar pushtetin, ndikuar edhe nga lufta në Ukrainë.
Eksperti i gjeopolitikës, Enrio Hide e sheh të vështirë që diçka e tillë të ndodhë.
Në emisionin “Lufta dhe Paqja” në ABC News, Hide u shpreh se personi i cili do të jetë pasaardhës i Putinit, do të duhet të ketë disa kritere.
“E para dhe më e rëndësishmja është që Vladimir Putin është vështirë të influencohet nga këto lloj analizash për të përcaktuar paraardhësin e vet. Ajo çka ai do të bëjë, është e natyrshme për diktatorët e këtij kalibri ose njerëz që janë në prag të një krize shumë të fortë lidershipi apo duan të largohen, është e natyrshme, ka ndodhur, është që së pari të garantojnë mbijetesën e tyre fizike dhe të familjes së tyre biologjike. Kjo ka ndodhur me diktatorë të tjerë në të kaluarën. Elementi i dytë, nuk ka të bëjë aq me garancitë, sa ka të bëjë me aftësitë që ky njeri do ketë për t’u përballur me një lidership politik, i cili tani me Putinin, duket se është i tulatur. Ne nuk e dimë se si do reagojë në momentin e parë që Putini do largohet.
Elementi i tretë do jetë se sa i aftë do jetë ky pasardhës që të operojë me shërbimet sekrete. Putini ka një të kaluar shumë të fortë në lidhje me shërbimet sekrete. Elementi i katërt është aftësia e tij për të marrë lidershipin e Rusisë për t’i dhënë fund luftës. Ka shumë dilema. Shoh një Putin që ka më shumë gjasa të humbasë jetën e tij se sa një Putin që do jetë i aftë të kalojë pushtetin, e shoh shumë të vështirë”, theksoi ai./abcnews.al