Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, miratoi Qeverinë e re ruse, në të cilën mbeten edhe disa ministra të qeverisë paraprake. Ndryshimi i qeverisë erdhi javën e kaluar, kur Putin tha se Rusia duhet të kalojë nëpër reforma të mëdha kushtetuese. Menjëherë pas adresimit të Putinit, Dmitry Medvedev, i cili ka qenë kryeministër i Rusisë për 8 vjet, dha dorëheqjen.
Një ditë më pas, Mikhail Mishustin, ish-shef i Shërbimit Tatimor të Rusisë, u emërua kryeministër.
“Detyra më e rëndësishme është të rrisim mirëqenien e qytetarëve tanë, të forcojmë shtetësinë dhe pozitën e vendit tonë në botë. Të gjitha këto janë qëllime absolutisht të arritshme”, tha Putin, duke shtuar se qeveria e re është “shumë e balancuar”.
Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe ministri i Financave, Anton Siluanov, i kanë pasur këto pozita edhe në qeverinë e kaluar./abcnews.al