Presidenti Vladimir Putin do të kryesojë një takim të Këshillit të Sigurimit të Rusisë për parandalimin bërthamor sot, tha Kremlini, ndërsa Moska po shqyrton se si t’i përgjigjet kërkesave të Ukrainës drejtuar vendeve perëndimore për ta lejuar atë të godasë thellë territorin rus me raketa perëndimore.
Lufta që shpërtheu në Ukrainë 2.5 vjet më parë ka shkaktuar përplasjen më të keqe midis Rusisë dhe Perëndimit që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962, e parë si momenti kur dy superfuqitë e Luftës së Ftohtë iu afruan më shumë se kurrë një lufte të qëllimshme bërthamore.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e cilësoi takimin e sotëm si një ngjarje të rëndësishme.
“Do të ketë një fjalim nga presidenti. Pjesa tjetër, për arsye të dukshme, do të klasifikohet si ‘tepër sekret’”, u tha Peskov gazetarëve.
Rusia ka thënë se po rishikon doktrinën e saj bërthamore, e cila përcakton rrethanat në të cilat ajo mund të përdorë armët bërthamore.
Rusia nuk do të testojë një armë bërthamore për sa kohë që Shtetet e Bashkuara përmbahen nga testimi, tha të hënën zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov.
/abcnews.al