Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, ka thënë këtë të premte se Polonia ka ambicie territoriale në ish- Bashkimin Sovjetik duke theksuar se çdo sulm ndaj Bjellorusisë, fqinjit dhe aleatit të ngushtë të Rusisë, do të konsiderohet si një sulm ndaj Rusisë.
Vërejtjet e Putinit vijnë disa orë pasi Polonia njoftoi një vendim për të zhvendosur më shumë njësi ushtarake në pjesën lindore të vendit, duke përmendur praninë e grupit mercenar Wagner në Bjellorusi.
“Moska do të reagojë ndaj çdo sulmi kundër Bjellorusisë me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion,” paralajmëroi Putin gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit Rus.
Vërejtjet e Putinit shkaktuan një reagim të menjëhershëm nga Anton Gerashenko, një këshilltar i qeverisë ukrainase, i cili komentoi në Twitter se presidenti rus “duket se ka harruar atë që Stalini kishte bërë më parë në Poloni”.
Në të njëjtën kohë, Putin përsëriti vlerësimin e tij se Perëndimi po ndez “flakët e luftës” duke mbështetur Ukrainën në konfliktin e saj me Rusinë.
Ai gjithashtu vuri në dukje se armët perëndimore të dorëzuara në Ukrainë po përdoren tashmë në fushën e betejës.
Kujtohet se Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë njoftoi se mercenarët e Wagner filluan stërvitjen e forcave speciale të vendit në një fushë ushtarake që ndodhet vetëm pak kilometra larg kufirit me Poloninë, e cila është një vend anëtar i NATO-s./abcnews.al