Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se avioni ushtarak i rrëzuar javën e kaluar në rajonin e qytetit rus Belgorod u “rrëzua” nga një sistem i mbrojtjes ajrore ‘Patriot’.
“Avioni u rrëzua nga sistemi amerikan ‘Patriot’, kjo tashmë është vërtetuar me siguri. Një ekzaminim e ka vërtetuar këtë”, tha Putin gjatë një takimi në Moskë.
Duke u shprehur se Rusia këmbëngul në mbajtjen e një hetimi ndërkombëtar për rrëzimin, Putin tha se nuk e kuptonte pse Ukraina e rrëzoi avionin.
“Forcat e Armatosura të Ukrainës rrëzuan avionin tonë ‘II-76’, i cili mbante 65 ushtarakë të tyre të destinuar për shkëmbim. Ju pyetët pse e bënë këtë. Unë nuk e di, nuk e kuptoj”, tha Putin.
Të mërkurën e kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi Ukrainën për rrëzimin e një avioni me 65 ushtarakë ukrainasë të kapur për shkëmbim të të burgosurve.
Ministria ruse njoftoi se ekuipazhi dhe të gjithë pasagjerët në avion u vranë, duke e quajtur një “sulm terrorist” i montuar për të akuzuar Rusinë për vrasjen e ushtarakëve ukrainasë.
Inteligjenca e Mbrojtjes e Ukrainës pretendoi se incidenti mund të ishte një “veprim i planifikuar dhe i qëllimshëm” i Moskës për destabilizim dhe se aktualisht nuk ka “informacion të besueshëm dhe gjithëpërfshirës” se kush dhe sa njerëz ishin në bord.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se do të insistojë për një hetim ndërkombëtar për aksidentin