Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin thotë se një grup sabotues ukrainas hyri në një rajon kufitar rus të enjten dhe hapi zjarr ndaj civilëve, duke e konsideruar këtë një akt terrorist.
Guvernatori i rajonit Bryansk tha se “diversantë nga Ukraina” kishin qëlluar mbi një makinë civile në Lyubechane, një fshat kufitar, duke vrarë dy burra dhe duke plagosur një djalë 10-vjeçar.
Kievi e mohoi me forcë pretendimin rus dhe incidenti i supozuar nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, shkruan BBC.
Rusia ka raportuar më parë për disa sulme me raketa dhe dronë të Ukrainës në zonat kufitare ruse, duke përfshirë rajonin Bryansk. Por nuk ka pasur raporte të konfirmuara për infiltrimin e forcave tokësore të Ukrainës në Rusi.
Kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, presidenti Putin e quajti qeverinë e Kievit “nacionaliste” dhe “neo-nazistë”, duke argumentuar se duhej të vepronte kundër tyre.

