Një fluks i papritur i emigrantëve që kalojnë me not në enklavën spanjolle të Ceuta në Afrikën veriore është një krizë serioze për Evropën, tha të martën Kryeministri Pedro Sanchez.
Rreth 6 mijë marokenë kanë hyrë në Spanjë në enklavën Ceuta në Afrikën Veriore gjatë të hënës, një pjesë e madhe duke notuar. Mbi 1 mijë prej tyre ishin minorenë, thanë zyrtarë të qeverisë së Madridit.
Kjo situatë e ka detyruar qeverinë spanjolle të nxjerrë ushtrinë me mjetet ushtarake për të monitoruar situatën. Trupa ushtarake spanjolle patrullojnë me tanke pranë kufirit me Marokun për të ndaluar hyrjen e shumë emigrantëve të tjerë të paligjshëm.
Videot e shpërndara në internet tregojnë emigrantët që hynin në Ceuta, duke notuar dhe duke u ngjitur mbi gardh, të papenguar nga autoritetet marokene.
Ceuta, me një popullsi prej 80,000 banorë është e vendosur në majën veriore të Marokut përtej Gjibraltarit. Së bashku me Melilla, ajo ka qenë prej kohësh një magnet për emigrantët afrikanë që përpiqen të arrijnë Evropën në kërkim të një jete më të mirë. g.v/abcnews.al