Pushteti vendor, më shumë bashki apo shpërndarje pushteti?

schedule09:35 - 22 Shkurt, 2022

schedule 09:35 - 22 Shkurt, 2022

Nga Mentor Kikia

Reforma territoriale është shtruar sërish në tryezën e ligjvënësve, pasi PD e Bashës, fitoi të drejtën për organizimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për rishikimin e saj.

Por çfarë do të(duhet) të ndryshohet në ndarjen territoriale?

PD është e fiksuar se duhet të rritet numri i njësive vendore, dhe se duhet rivizatuar harta, pasi kjo ekzistuesja u bazua më shumë tek ngjyrimet politike(në favor të PS-së), sesa ato administrative. Kjo logjike na shtyn të mendojmë se nga një hartë politike, do të kalohet në një tjetër hartë politike, tashmë më neutrale.

Por qytetarëve nuk u duhet një hartë bazuar mbi ngjyra partiake, por një pushtet vendor që të garantojë shërbimet dhe një qeverisje më cilësore dhe mbi të gjitha të barabartë për të gjitha njësitë që përbëjnë bashkitë e reja.

PD nuk referon ndonjë studim për të argumentuar nevojën e rritjes së numrit të njësive vendore, ndaj dhe duket se është nisur më shumë nga interesi politik.

Po përfitoj nga rihapja e kësaj çështjeje, për të sjellë shkurtimisht disa konkluzione nga një studim, për të cilin kam punuar 3-4 vite më parë, kryer në të paktën 10 njësi administrative, jashtë zonave urbane dhe që kishte si qëllim testimin e cilësisë së shërbimeve nga njësitë e reja që lindën nga kjo reformë.

Ndarja e re terriroriale shkriu komunat dhe përqëndroi pushtetin vendor në 61 bashki. U shkrinë komunat, që ishin shndërruar në “provinca” që qeveriseshin për disa mandate me radhë nga të njëjtët njerëz, dhe ku numri i banorëve zbriste nga viti në vit.

Kjo ishte një zgjhidhje e mirë, por bëri që qeverisja të përqëndrohet vetëm në qytete. Nisi një proces rindërtimi i qendrave, dhe kryebashkiakët e rinj iu “përveshën punës”, shkul pllaka e vër pllaka, shkul pisha e mbilla rrape, prish lulishte e ndërto instalacione kauçuku etj etj. Shumë qendra qytetesh u përmirësuan dukshëm nga projekti i “rilindjes urbane”.

Por pushteti harroi të shkonte në fshat. Njësitë Administrative që zëvendësuan Komunat, nuk kanë asnjë kompetencë, asnjë lloj buxheti dhe janë aty thjeshtë për të ndarë ndihmën ekonomike dhe përgjigjen për të bërë korrierin e problemeve, nga zona e tyre në bashkinë. Gjithnjë e më shumë ato po shndërrohen në zyra të partisë që zotëron pushtetin.

Jo vetëm ish komuna të largëta, por edhe në NjA që përfaqësojnë ish bashki si Orikumi, Shëngjini, Velipoja etj, që janë qyteza të rëndësishme turistike, pushteti është gati jo funksional.

Çfarë nuk funksionon?

Nëse do të duhet të ndërrohet një llampë e djegur në ndriçimin publik, NjA- ja nuk ka fonde. Ajo duhet të bëjë kërkesë në bashki dhe të vijnë punëtorët e bashkisë ta ndërrojnë.

Nëse thyhet xhami i shkollës duke lozur fëmijët me top, sërish duhet të ndiqet e njëjta procedurë.

Nëse në dimër bie një gurë në rrugë, në një fshat 35 km larg qytetit, do të duhet të njoftohet drejtoria e shërbimeve të bashkisë që të dërgojë një fadromë për të larguar gurin apo dherat që kanë zënë rrugën. Shpesh kushton më shumë vajtja e fadromës në fshat se vetë puna që do të bëjë.

Nëse banori i një fshati shkon në NjA dhe kërkon të zgjidhë një problem, i thonë shkurt dhe prerë: Skemi asgjë në dorë. Sepse realisht nuk ka. E thënë ndryshe, NjA-të sot nuk ngulin dot asnjë gozhdë në zonën e tyre.

Me ndarjen e re administrative, po qeverisen qytetet e mëdha, dhe janë braktisur zonat rurale por edhe qyteza që kanë qenë bashki apo komuna para kësaj ndarjeje, të cilat kontribojnë me taksa, por nuk marrin mbrapsht gati asgjë.

Ideja e një ndarjeje të re, duke shtuar numrin e njësive, duket absurde, pasi më shumë se numri i njësive duhet parë shpërndaja e pushtetit mes bashkisë dhe NjA-ve, për ta çuar pushtetin, që do të thotë shërbimin, tek qytetarët dhe jo të shkojë qytetari tek zyra e pushtetit.

Ne pyetëm banorët se çfarë kërkojnë të ndryshohet, dhe të gjithë thonë se NjA-të duhet të kenë një buxhet minimal për të ndërmarrë veprime dhe ofruar shërbime emergjente. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!