Publikohet biseda e sekserit që u takua me Kurtin, VV hesht

schedule20:50 - 27 Tetor, 2021

schedule 20:50 - 27 Tetor, 2021

Një bisedë telefonike e publikuar sot duket se nuk i ka bërë përshtypje Lëvizjes Vetëvendosje për të reaguar. Aty dëgjohen komunikime e incizime të një sekseri të pretenduar të Albin Kurtit. Shaban Kilaj, një person me të kaluar kriminale, kishte provuar ta bindte Gani Gecin, që vajza e tij të kalonte në Vetëvendosje ose Listën Guxo. Në këmbim do të merrte poste si zëvendësministra e ambasadorë. Lidhur me këtë Gazeta Express ka dërguar pyetje në sekretariatin për media të Lëvizjes Vetëvendosje por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Për dallim nga hera e fundit, partia e udhëhequr nga Albin Kurti, e cila kishte reaguar pas raportimit të gazetarit Vehbi Kajtazi, kësaj radhe nga Vetëvendosja nuk kanë thënë as edhe një fjalë.

Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon heshtjen përballë raportimeve të Paparacit ku janë publikuar komunikime e incizime të një sekseri të Albin Kurtit.

Shaban Kilaj, kishte shkuar në konakun e vëllezërve Geci në Llaushë, për ta bindur Ganiun, të atin e deputetes, Marigona Geci që t’i bashkohej Listës Guxo.

Nëse do ta bënte këtë do të shpërblehej.

Denoncimin se një sekser i Kurtit i kishte shkuar në shtëpi, e kishte bërë vetë Geci në një postim të gjatë në Facebook.

Sipas Gecit, personi në fjalë i ka premtuar pozita për vajzën e tij nëse ai pranon që t’i bashkohet Kurtit.

“Albin Kurti më ka thanë me ardh me bisedu me ty, dhe ai ka dy opsione për ty nëse ti fillon me bashkpunua me Albin Kurtin dhe Qeverinë Kurti. Po i thash çfarë janë ato opsione? Opsioni i parë, ti mundesh me i dërgua dy zëvendesministra në Qeverinë e Albin Kurtit këdo që dëshiron ti, njerëz tu të besuar dhe për këtë vajza juaj kalon në Grupin parlamentar të LVV. Opsioni i dytë është pak ma i lehtë për ty nëse vajza juaj kalon në listën Guxo mund të bëhet kryetare e grupit parlamentar të listës GUXO dhe ti e emron 1 zëvendesministre ose edhe ndonjë ambasador”, kishte shkruar Geci më 4 mars të këtij viti.

Kurti në zgjedhjet e 14 shkurtit, së bashku me Vjosa Osmanin, fitoi mbi 50 për qind të votave. Kishte vota të mjaftueshme për ta votuar qeverinë, por jo edhe presidenten.

Një muaj pas postimit të Gecit, Vjosa Osmani ishte zgjedhur president. Korumin ia kishte bërë LDK-ja, derisa Kurti kishte marrë në grup një deputete të PDK-së. Kishte siguruar edhe dy vota të Listës Serbe dhe një të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Paparaci, ka siguruar një incizim të një bisede në mes të Gani Gecit dhe Shaban Kilajt, i cili fliste në emër të Kurtit.

Po ashtu ka siguruar fotografi të Kilajt me Kurtin dhe me Gecin. Ka siguruar edhe biseda ndërmjet Kilajt dhe Kurtit nëpërmjet aplikacionit, Viber, por për shkak të pamundësisë së verifikimit të tyre, nuk do t’i botojë.

Kilaj, një person i akuzuar për dallavere me viza amerikane, vazhdon të thirret si njëri që ka lidhje me amerikanë. Një aktakuzë e para disa viteve, atë e ngarkonte për vepra penale që lidheshin pikërisht me viza amerikane.

Pas publikimit të postimit në FB, Shaban Kilaj i kishte telefonuar Gani Gecit, duke i kërkuar që ta fshinte postimin. Kishte marrë një përgjigje nga Geci: “Kurrë”.

“Gani t’u kisha lutë prej toke dej n’qiell… Me hek qat shkrim”, thotë Kilaj.

“Kurrë. M’u rrotullu toka s’e heki”, ia kthen Geci.

Gjatë bisedës, Geci ia rikujton se e ka pyetur disa herë se a e kishte dërguar Kurti. Ai ia konfirmon se po. Kilaj ankohet se pse Geci e kishte bërë publike shkuarjen e tij në shtëpi, duke e cilësuar si prerje në Besë. Por, Geci ia kthen se nuk është prerje në besë, por shkuarje për biznes.

“Nuk je ardhë ti n’besë…, ty t’ka çu për pushtet ai, jo n’besë… ty t’ka çu…”, thotë Geci.

“Ti m’thave shko…, jo jo për pushtet… se ktu jom veç pi ni njeri pi vullnetit t’mirë… n’vullnet t’mirë kom pasë…, kom pasë qef Gani me shku qysh duhet…, se jon përsërit zgjedhje, zgjedhje, zgjedhje, zgjedhje”, thotë Kilaj, teksa shpreh “preokupimin” e tij me mos stabilitetin politik në Kosovë.

“Edhe unë pi vullnetit t’mirë… për me ja dashtë t’mirën qetij venit e disha që osht n’potencial që munesh me kry. Edhe ndaç me ja bo qet t’mirë venit…nuk osht as për Albinin, as për ty, as për mu, as për kërkon”, insiston ai.

Geci, ia rikujton se cfarë kishin biseduar në takim.

“Ej, unë nja katër herë jam konsulltu me ty, bilen e biles t’kom thon kur e kan çkru ata a din që po dojnë me parti politike kom thon unë këto muj me i bo edhe publike… e din ti e ki t’çkrune aty. Po e din domethanë…, edhe t’kom thanë a t’ka çu Albini kallxom nëse s’t’ka çu ai mos m’thuj po se tani o keq”, thotë Geci.

Kilaj, ia konfirmon se në shtëpinë e tij I kishte shkuar pas konsultimit me Albin Kurtin.

“Une prej vullneti t’mirë me Albinin jom konsultu rreth Marigonës”, shton Shaban Kilaj, teksa merr një leksion nga Geci, se vajza e tij nuk mund të bëhet deputete e një partie tjetër, sepse votat i kishte fituar në listën e LDK-së.

“Ej, vetëm njo. Unë nuk jom person që ja shtoj kujt ni fjalë, asni fjalë, kur dush ti… Asni fjalë kurrë, as ty, as Albinit, as kërkuj. Faktikisht unë t’kom prit… a po kupton se unë nuk jom tip…unë nuk jom… edhe t’kom thonë aty, unë nuk e du se ai o komunist… t’kom thonë a e din kur t’kom thonë”, shton Geci.

Paparaci, i ka dërguar pyetje Kurtit dhe zëdhënësit të tij rreth kësaj çështje, por asnjëri nuk janë përgjigjur. Ata, kanë refuzuar të deklarohen rreth Shaban Kilaj, një figurë kontraverse.

Paparaci, nuk ka mundur të kontaktojë me Kilajn për të folur rreth kësaj teme.

Në shkurt të vitit 2013, Kilaj ishte akuzuar së bashku me ish-kryetarin e Malishevës për keqpërdorime me viza amerikane.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte ngritur aktakuzë kundër Shaban Kilaj, Xhavit Krasniqi dhe Burim Hoxha për veprën penale “Kontrabandim me migrantë” si dhe kundër Januz Kastarti, ish zëvendësministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare”.

Sipas aktakuzës të pandehurit Shaban Kilaj, Xhavit Krasniqi dhe Burim Hoxha, gjatë vitit 2010 – 2011, janë marr me kontrabandim të migrantëve.

“I pandehuri Shaban Kilaj ka siguruar ftesa për udhëtime zyrtare në SHBA, në krye me zyrtarë të lartë qeveritarë, në të cilat ftesa ishin të përfshirë edhe personat, të cilët nuk ishin zyrtarë të qeverisë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërkaq, Xhavit Krasniqi dhe Burim Hoxha, sipas Prokurorisë I kishin dërguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme kërkesa për nota verbale, duke i paraqitur këta persona si zyrtarë të qeverisë, kinse anëtarë të delegacioneve.

Pas lëshimit të notave verbale “i pandehuri Shaban Kilaj ka arritur që të sigurojë viza zyrtare në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup për gjithsej nëntë persona, të cilët më pas kanë emigruar në SHBA”.

Sipas aktakuzës, ish zëvendësministri Januz Kastrati ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, ngase ka kërkuar nga asistenti i tij, i pandehuri Burim Hoxha, që ta procedojë ftesën për udhëtim zyrtarë në SHBA edhe pse e ka ditur se dy persona, të përfshirë në ftesë si anëtarë të delegacionit, nuk ishin fare zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!