Çështjet që do të diskutohen gjatë debatit të parë presidencial javën e ardhshme përfshijnë “integritetin e zgjedhjeve”, sipas listës zyrtare të publikuar të martën nga Komisioni jopartiak për Debatet Presidenciale.
Moderatori i debatit presidencial të 29 shtatorit në Shtetet e Bashkuara mes kandidatit demokrat Joe Biden dhe presidentit Donald Trump ka publikuar gjashtë temat e tij.
Presidenti Trump dhe ish-nënpresidenti Biden do të debatojnë mbi historinë e arritjeve të tyre, plotësimin e vendit bosh në Gjykatën e Lartë, pandeminë, ekonominë, marrëdhëniet racore dhe dhunën në qytetet amerikane, si dhe integritetin e zgjedhjeve. Temat u zgjodhën nga moderatori Chris Wallace, gazetar i kanalit Fox News.
Kandidatët do të kenë 15 minuta për të debatuar në secilën nga temat gjatë debatit 90 minutash, i cili do të zhvillohet pa ndërprerje reklamash. Lista e temave mund të ndryshojë nëse do të ketë zhvillime të reja para fillimit të debatit.
Trump dhe Biden do të zhvillojnë debatet e tjera, në 15 dhe 22 tetor. Nënpresidenti Mike Pence dhe Senatorja Kamala Harris do të zhvillojnë debatin e tyre më 7 tetor. s.ba/abcnews.al