Publikohen pamje të reja të rrëmbimit të Enver Stafukës, si u fut në makinë nga “policët”

schedule21:50 - 3 Nëntor, 2021

schedule 21:50 - 3 Nëntor, 2021

Emisioni “Në shënjestër” i gazetares Klodiana Lala solli sot pamje të reja të rrëmbimit dhe zhdukjes së Enver Stafukës.

Janë pamje të patransmetuara më parë të cilat tregojnë të plotë të gjithë dinamikën e ngjarjes si edhe lëvizjen e personave me të cilët Enver Stafuka konsumoi kafen e fundit, por edhe të rrëmbyesve të veshur si policë.

Enver Stafuka sic shihet nga pamjet e News24 u rrëmbye mbrëmjen e 8 shkurtit 2015. Edhe pse data që mban kamera e sigurisë mban datën 9 shkurt. Siç shikohet edhe nga pamjet e plota, i pari që vjen në sheshin para lokalit dhe që zbret nga makina është Enver Stafuka. Dhe ora shënon 19:23 minuta.

Menjëherë pas tij, vjen Gentjan Bejtja. Më pas siç dallohet në video, vjen Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja. I fundit që i bashkohet grupit është Durim Bami, personi që shikoni në pamje që zbret nga makina në anën tjetër të rrugës. Siç vihet re në vazhdim, të katër personat, futen në lokal. 21 minuta më pas, i pari që del nga lokali është Ramazan Rraja, emri i të cilit përmendet për herë të parë në këtë histori. Ky i fundit, nxiton, merr makinën dhe largohet. Vetëm një minutë pas tij, nga lokali po me nxitim, del Enver Stafuka. Janë momentet e fundit përpara rrëmbimit.

Ai duket teksa nxiton dhe drejtohet për te makina e tij. Është ky çasti, ku persona të veshur si policë, të cilët mesa duket po e prisnin, kanë dalë nga automjeti i tyre dhe i kanë thirrur në emër. Fillimisht ata e kanë shtyrë dhe më pas e kanë lidhur. Ndërsa një makinë afrohet dhe katër personat e fusin Enver Stafukën në brendësi të automjetit.

Edhe sot pas më shumë se 6 vitesh i pagjetur. Vetëm 2 minuta pasi ka ndodhur rrëmbimi, dalin qetësisht nga lokali, Durim Bami dhe Gentjan Bejtja. Themi qetësisht, pasi askush prej tyre, duket sikur nuk e ka parë aksionin e policisë ku u ‘arrestua’, Enver Stafuka që në fakt rezultoi të ishte rrëmbim. Sot, gati shtatë vite më vonë, ende nuk dihet asgjë për fatin e babait të 4 fëmijëve. Policia e cila ka rihapur dosjen është duke hetuar grupin e Emiljano Shullazit, si të përfshirë në krimin e rëndë. /BW

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!