Publikimi i të dhënave sensitive, ekspertët: Po cënohet siguria kombëtare

schedule13:24 - 20 Shtator, 2022

schedule 13:24 - 20 Shtator, 2022

Gjatë dy ditëve të fundit, faqja ‘Homeland Justice’ ka publikuar të dhënat për ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano, si dhe kjo faqe ka nxjerrë në shitje të gjithë databazën e të dhënave të përftuara gjatë dy sulmeve kibernetike të Iranit në sistemin TIMS dhe e-Albania. Për sulmin kibernetik të Iranit, faktin që është përzgjedhur emaili i ish-drejtorit të Policisë së Shtetit Gledis Nano si dhe cilat do të jenë pasojat e ardhshme të këtij sulmi u diskutuan në studion e ABC Live me Sibora Bitri. Të pranishmit në studio theksuan që të dhënat që po qarkullojnë në publik janë të dhëna shumë sensitive dhe po cënohet siguria kombëtare e Shqipërisë.

Për ekspertin e teknologjisë së informacionit Bledi Gilaj, emaili i Gledis Nano është nxjerrë nga një email i brendshëm. Sipas tij ‘sulmi është shumë i fuqishëm, dhe akoma nuk dihet deri ku do të shkojë ky sulm, dhe që vetë Irani është i interesuar për nxjerrjen e këtyre të dhënave dhe nuk është rastësore përzgjedhja e Gledis Nano’.

Sipas gazetarit Xhevahir Zhabina, bërja publike e informacioneve, vjen në një kohë që qeveria shqiptare ka deklaruar që sulmi nuk ka shkaktuar dëm serioz, ndërkohë që tani po na del emaili i drejtorit të përgjithshëm. Sistemi TIMS ka 22 servera lokalë, duke bërë që sulmi është aq i madh, dhe është dështim total i sistemit të sigurisë’.

Për gazetarin Ermal Vija, ‘Irani ka qenë i interesuar për nxjerrjen e të dhënave të hakeruara të ish –drejtorit të Policisë Gledis Nano, duke qenë drejtor i antieterrorit dhe ka pasur lidhje me kampet e refugjatëve në Siri si dhe ka patur lidhje me aleatët, përmes tij kalonin informacionet që lidheshin edhe me iranianët. Ndaj kanë vënë në shënjestër Gledis Nanon’.

Faqja ‘Homeland Justice’ ka publikuar të dhënat për ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Në të dhënat janë të gjitha hyrje-daljet e tij të regjistriara në sistemin TIMS si dhe fotot e tij ndër vite. Ndërkohë janë publikuar të dhënat personale, pasaportat e tij ndër vite si edhe patenta. Po kështu nuk mungojnë numrat e sigurimeve shoqërore të dhjetëra personave, ku nga verifikimi i bërë deri tani, disa prej tyre janë punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Të pranishmit në studio kanë përmendur që po publikohen të dhëna shumë sensitive dhe po cënohet siguria kombëtare. Janë ekspozuar problematika të ndryshme si ndërtimet pa leje apo të dhënat e efektivëve të policisë dhe bashkëpunimet e tyre me institucionet e huaja homologe. Janë publikuar të gjithë të dhënat e shqiptarëve në kampet e Sirisë të cilët duan të ri-atdhesohen, duke rrezikuar jetën e tyre në këto kampe.

/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!