Publikimi i të dhënave personale, Elisa Spiropali: Kjo ndodh kudo në botë

schedule18:48 - 13 Prill, 2021

schedule 18:48 - 13 Prill, 2021

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar pas lajmit se të dhënat e mbi 900 mijë votuesve mund të kenë dalë nga portali e-Albania. E ftuar në emisionin Top Talk, ministrja nuk e sheh si një problem serioz publikimin e të dhënave të votuesve.

“S’ka asnjë lidhje me votën që një individ hedh me çështjen e patronazhistëve, strukturat e Partisë Socialiste për votuesit e vet. Ka njerëz që e bëjnë këtë gjë. Ç’kuptim do të kishte nëse nuk do të evidentonin votuesit e zonës së vetë. Ne thjesht i evidentojmë, nuk i ndikojmë votën e tyre”.

Sipas saj nuk është i vështirë aksesi në të dhënat personale të qytetarëve. “Pse e vështirë është të kesh numrin tënd të telefonit? Ka shumë mënyra për të marrë numrin. Ne nuk i përdorim askund. Nuk di të them si i kanë publikuar disa portale. Ne, nga 2008 kemi një databaze që përditësohet”. Sipas Spiropalit, është normale, kudo në botë, që partitë politike të kenë databazë me të dhënat e votuesve.

Spiropali shton se nëse është e nevojshme, të hetohet çështja, por “nuk ka lidhje me PS-në”. “Janë disa portale që kanë nxjerrë të dhënat. Ato mbajnë përgjegjësi. Po ju them se e-Albania nuk mban të dhëna të individëve, është një faqe ndërlidhëse. Janë mbledhur të dhëna ndër vite. Meqë e kanë me merak le të hetojnë, le të bëjnë ç’të duan… Nuk ka lidhje me PS-në, nuk i kemi nxjerrë”./ TCH